Pas takimit me shqiptarët e Athinës, takimi i radhës i kryeministri Edi Rama me diasporën do të zhvillohet në Milano më 26 maj në pallatin e sportit “Busto Arsizio”.

Ndryshe nga takimi i Athinës, problemet me organizimin këtë herë nuk kanë qenë të natyrës politike me autoritetet vendase, por më shumë të tipit logjistik. Duket se për t’iu përgjigjur kërkesës, organizatorëve u është dashur të spostohen në Busto Arsizio, 35 km larg Milanos, siç shpjegon për A2CNN edhe sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi.

“Jo në itali nuk kemi patur asnjë problem, përveçse kemi ndërruar sallën 3 herë për shkak të kërkesave të shumta për pjesëmarrje.”, thotë Klosi.

Socialistët duan të kalojnë pritshmëritë e takimit të parë për të surprizuar kryetarin e tyre, që Edi Rama të ketë përballë më shumë elektorat potencial se sa në Greqi.

“Synojmë që takimit të jetë me përmasa më të mëdha. salla akomodon 5-6 mijë persona, por do të vendosen edhe në plate. Synojmë 10 mijë persona. Do të jete një ditë shqiptarçe”, vijoi më tej Klosi.

Retorika politike ndaj homologut grek pritet të zëvendësohet me shfaqjen vëllazërore me Italinë, për shkak edhe të marrëdhënies miqësore mes Edi Ramës dhe homologes italiane Giorga Melonit.

Marrëveshja për pensionet pritet të jetë një nga arritjet të cilën kryeministri nuk do të harrojë ta nënvizojë.

“Njohja e pensioneve të ndërsjellta është një nga çështjet që ju ka ardhur në ndihmë emigrantëve në Itali.”, deklaroi Klosi.

Takimet me diasporën shqiptare të kryeministrit Edi Rama kanë zhvendosur axhendën partiake të PS. Kongresi Zgjedhor i parashikuar fillimisht për më 12 qershor, pritet të mblidhet pasi të përfundojnë turneu nëpër Europë.

“Takimet me diasporën e kanë spostuar pak mbledhjen e Kongresit. Do të ndodhë para verës së këtij viti.”, deklaroi Klosi.

Këto takime e kanë bërë optimist numrin dy të PS se përveç faktorizimit të diasporës shqiptare, emigrantët do të gëzojnë të drejtën të votojnë në vendet ku jetojnë.

“Jam shpresëplotë që vota e diasporës në zgjedhjet e ardhshme do të jetë realitet”, përfundoi Klosi.