Nga Eduard Zaloshnja
Pasi lexova shkrimin “Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar” të Lutfi Dervishit, të botuar në disa portale, mora shtysën (mora spunton, thuhet nëpër studio televizive) të bëj një analizë sasiore rreth temës që Dervishi e kishte qendisur në mënyrë cilësore (me ironinë e tij vazhdimisht të hollë). Thelbi i shkrimit të Dervishit: Parashikimet boshe të gazetarëve/analistëve nëpër studio televizive rreth arrestimeve të pritshme të SPAK-ut.
Me ndihmën e specialistit IT që realizon anën teknike të sondazheve të shpeshta që zhvilloj, analizova në internet 100 parashikime që kanë bërë gazetarë/analistë nëpër studio televizive vitet e fundit rreth arrestimeve të pritshme të SPAK-ut. Dhe plot 95% e parashikimeve të tyre rezultuan të dështuara – ndër to, 90% plotësisht të dështuara!
Pra për 90 parashikime nga gazetarë/analistë të ndryshëm, rezultoi se personat e parashikuar që do të arrestoheshin me kërkesë të SPAK-ut janë ende të lirë. Në 5 raste janë arrestuar ose janë vënë në arrest shtëpie personat publikë të parashikuar, por goxha më vonë se sa u parashikuan nga gazetarët/analistët nëpër studio televizive. Ndërsa vetëm 5% e parashikimeve (të bëra nga më pak se 5% e gazetarëve/analistëve prashikues) kanë qenë në kohën e duhur dhe për personin e duhur.
SHËNIM: Parashikimet e politikanëve për arrestimet e kundërshtarëve respektivë nuk i analizuam, sepse do të na duhej një kohë e pafundme për t’u marrë me to…