Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken publikisht më 19 maj 2021 shpalli ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha person “non grata” për korrupsion madhor dhe minim në demokracisë. Një vit më pas me 19 korrik 2022 jo publikisht të njëjtin vendim mori edhe Britania e Madhe.
Nga selia e PD zoti Berisha më 22 korrik 2022, tregoi se sekretaria e shtetit për punët e brendshme në Britaninë e Madhe i kishte ndaluar hyrjen në këtë shtet.
Sali Berisha tregoi vetëm një pjesë te motiveve. Më pas akuzoi dhe sulmoi ashpër ambasadorin Britanik në Tiranë, Alastair King-Smith me pretendimin e paprovuar me fakte, se ai bashkë me Ramën dhe Bashën e futën në listën e zezë britanike.
Por nga ky dokument me 35 faqe, që disponon ekskluzivisht gazetari i Top Channel Muhamed Veliu , dorëzuar në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”, ku zoti Berisha apeloi vendimin, ndryshe nga pretendimet e ish kryeministrit demokrat, tregohen mekanizmat se kush e inicioi këtë ndëshkim për liderin historik të PD.
Të dhënat në këtë dokument iu paraqitën gjykatës, në atë që njihet si “SESIONI I HAPUR” ndërsa në “SESIONIN E MBYLLUR” janë paraqitur fakte dhe grup-fakte të tjera nën siglën sekret, të cilat nuk do mësohen asnjëherë përveç palëve në proces.
Ky dokument është paraqitur në gjykatë nga Lisa Giovannetti KC, përfaqësuese e qeverisë angleze në këtë proces, si prapësime të pretendimeve të zotit Berisha.
Në këtë dokument tregohet se Qeveria Britanike në Mars 2021 ngriti projektin “Crime State Nexus” për të minimizuar kërcënimet që i vinë Britanisë së Madhe nga grupet e krimit të organizuar prej Ballkanit Perëndimor.
Në tryezën e këtij projekti, ulen përfaqësues të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme Foreing Office dhe ata të Punëve të Brendshme Home Office.
Dokumenti tregon se ishte projekti qeveritar “Crime State Nexus” ai i cili i sugjeroi sekretares të atëhershme të shtetit Priti Patel ti ndalonte hyrjen Sali Berishës në Britaninë e Madhe.
Në procesin ndaj Berishës janë përfshirë edhe gjetjet e National Crime Agency, “Agjencisë Kombetare kundra Krimit” njohur si FBI-s angleze të pasqyruara në dokumentin “Tactical Assessment” “Vlerësimi Taktik” datë 14 Korrik 2021, ku shpjegohet problemi i asaj që njihet si “state capture” kapja e shtetit. Projekti i qeverisë britanike “Crime State Nexus” jep këtë përfundim për lidhjet e krimit me politikën në Shqipëri.
“Lidhjet midis politikës dhe krimit në Ballkanin Perëndimor krijojnë një mjedis lejues në të cilin kriminelët dhe grupet e krimit të organizuar, mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike e politikanëve të korruptuar nga aktivitetet e zbatimit të ligjit. Kjo mbrojtje politike u siguron gjithashtu Organizatave të Krimit të Organizuar rrugë shtesë për të pastruar paratë dhe u mundëson atyre të përdorin Shqipërinë si një strehë të sigurt nga e cila mund të operojnë. Në këmbim, këto grupe do të ndihmojnë një politikan gjatë zgjedhjeve duke blerë vota dhe duke frikësuar votuesit”.