Shtypi grek ka publikuar momentet e fundit të Enkeleida Danajt teksa ish-bashkëshorti i saj Eduard Danaj i del përpara në rrugë.

Video e marrë nga kamerat e sigurisë ka fiksuar momentin rreth orës 5:30 të mëngjesit sipas orës lokale greke, në zonën e Menidit, teksa Eduard Danaj kalon në trotuar pranë shtëpisë së ish-bashkëshortes. Ai shkon deri në një pikë më pas kthehet sërish pas.

Përballë tij shfaqet Enkeleida. Kjo e fundit shtanget dhe ngel në vend sapo e shikon. Ai i afrohet, ndërsa 40-vjeçarja qëndron pa lëvizur. Ato janë sekondat apo minutat e fundit të jetës së Enkeleida Danajt.

Më pas historia është tashmë e ditur. Eduard Danaj, që me vete mbante një thikë, e goditi të paktën 10 herë 40-vjeçaren dhe e la të vdekur në mes të rrugës.

Ai u arratis në një hotel dhe më pas në një ndërtesë të braktisur ku u kap nga policia greke. Aty ishte duke konsumuar birra.

Në një tjetër video të mediave greke, 50-vjeçari shqiptar shfaqet duke hedhur në një kosh mbeturinash një qese me kanaçe birrash.
Pas arrestimit, Eduard Danaj pranoi në polici krimin dhe tha se e kishte planifikuar.

“E dija kur kalonte aty për në punë. Kur e pashë, nxorra thikën dhe fillova ta godisja. Më pas u largova në këmbë dhe shkova në një hotel. Qëndrova pak aty dhe pastaj shkova në një godinë në ndërtim dhe piva disa birra deri sa më arrestuan”, ka thënë Eduard Danaj në polici.

Enkeleida Danaj i kishte dhënë fund martesës me Eduardin, ndërsa që prej vitit 2013 e kishte denoncuar 3 herë për dhunë në familje. Kallëzimi i fundit ishte më datë 7 Maj 2024.