Atmosfera e krijuar në Europë, sipas kryeministrit hungarez, i ngjan asaj të para Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Po nxitja për të shkuar te lufta, sipas tij vjen nga vetë Europa dhe jo nga Rusia.
“Është Evropa ajo që po përgatitet për një luftë me Rusinë, dhe jo kundërta. Nuk ka gjasa që Rusia të sulmojë një vend të NATO-s dhe diskutimi për “kërcënimin rus” nuk është gjë tjetër veçse një marifet perëndimor për t’u përgatitur për luftë”.
Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, e bëri këtë deklaratë në fjalimin e tij tradicional të mëngjesit të së premtes, në radiostacionin kombëtar Radio Kossuth.
“Probabiliteti që dikush, ne nuk po flasim vetëm për Rusinë, por dikush tjetër, sot të vendosë të sulmojë një vend të NATO-s është jashtëzakonisht i vogël,” tha Orbán.
“NATO është aleancë mbrojtëse dhe nuk do të tolerojë veprime ushtarake që cenojnë sovranitetin e asnjë vendi të NATO-s.
Prandaj i interpretoj këto referenca ndaj kërcënimit rus më tepër si manovra nga Perëndimi dhe Evropa për t’u përgatitur për një hyrje në luftë. Dinamika në Bruksel, më shumë se në Uashington, po hedh themelet për një konflikt të mundshëm të drejtpërdrejtë ushtarak”.
Nga ana tjetër, sipas Orbanit, Moska tregoi dobësi ushtarake në Ukrainë. “Ushtria ruse po bën një luftë serioze dhe të vështirë kundër ukrainasve. Nëse ata do të ishin mjaftueshëm të fortë për t’i mundur ukrainasit, do ta kishin bërë tashmë.”
Dhe aftësitë ushtarake të Aleancës, vazhdon ai, janë shumë më të mëdha se ato të Kievit: “Nuk më duket logjike që Rusia, e cila nuk di as të fitojë në Ukrainë, mund të vijë papritmas dhe të dëmtojë Perëndimin”.