Vlora hapi zyrtarisht sezonin turistik 2024 edhe pse turizmi nuk është ndalur gjithë vitin në qytetin bregdetar.

Larg fjalëve dhe ceremonive kanë qenë aktivitetet e ndryshme ato që kanë promovuar Vlorën turistike. Pas një festivali sportiv është çelur panairi Vlora jonë panair i vlerave dhe pasurive që nga kulinaria ,zejtaria e deri te prezantimi I trashëgimisë kulturore

“Ky është një promovim i Vlorës me të gjitha vlerat e saj,jo vetëm për ti dhënë gjallëri qytetit bregdetar por edhe për të mirëpritur pushues e turistë”, tha kryebashkiaku Ermal Dredha.

Pjesë e festës ishin përfaqësues të gastronomisë dhe kulinarisë që shprehen për një eksperiencë pozitive. Ndërsa festa tërhoqi edhe shumë të huaj që janë më pushime këto ditë në qytetin bregdetar.

“Jemi nga Suedia. Jemi me pushime këtu dhe erdhëm të shohim. Na pëlqen shumë Vlora,njerëzit dhe natyra. Do të vijmë prapë në Vlorë”, shprehet një turist.

“Jemi nga Spanja. Prej ditësh kemi ardhur të pushojmë në Vlorë. Nuk dimë gjë për panairin por duket se janë gjëra të bukura. Po na pëlqen shumë Vlora dhe besoj do të vijmë sërish”, tha një tjetër.

“Jemi nga Kina. Nuk kemi provuar shijet këtu por e vlerësojmë. Vlora qenka një mrekulli. Do të kthehemi sërish patjetër”, u shpreh një tjetër pushuese.

Panairi ka mbyllur siparin me koncertin e madh me këngëtarë nga Vlora dhe Tirana,aktivitete këto që kanë çelur zyrtarisht sezonin turistik 2024 edhe pse turistët në Vlorë e kanë filluar sezonin që në muajin mars.