Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas vetëdorëzimit në polici të Azgan Mërnicës, autorit të vrasjes të efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenaliaj.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla u shpreh se tanimë pritet që drejtësia të bëjë detyrën.

Balla shtoi se kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit dhe nuk mund t’i shmanget dot kurrë ndëshkimit.

“U prehsh në paqe Novruz i dashur! Bashkë me familjen tënde, kolegët e tu të Policisë së Shtetit dhe mbarë shoqërinë tani presim nga drejtësia të bëjë detyrën.

Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit dhe nuk mund t’i shmanget dot kurrë ndëshkimit”, shkruan Balla në Facebook.