Edicioni i tretë i “Big Brother” ka pak më shumë sesa një muaj që ka përfunduar dhe tashmë kanë nisur edhe thashethemet për edicionin e radhës. Dhe duket se në rrjet përfliten se do të ketë ndryshime të mëdha.
Thuhet se edicioni i katërt i BBV do të jetë ndryshe nga tre të parët, pasi do të bëjë bashkë të gjithë ishbanorët më të spikatur dhe fituesit gjithashtu. Aulona Musta, në emisionin e saj “Natën me Aulonën”, u shpreh se në bazë të disa burimeve të sigurta, këtë vit edicioni i BBV do të jetë shumë special. “Big Brother All Stars” do të vendosë përballë fituesit e tri edicioneve, të cilët thuhet se e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
“Unë di një lajm nga disa burime që këtë vit ‘Big Brother 4’ do të jetë një ‘Big Brother All Stars’, ku do të hyjnë disa nga personazhet në të tria edicionet e tij dhe do të jenë ndër të gjithë emrat e tjerë, Luiz Ejlli, Ilir Shaqiri dhe Egla Ceno. Të tre fituesit thuhet që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”.
Gjithashtu, shtoi se përfliten edhe banorë të tjerë që do të jenë pjesë si Einxhel Shkira, Monika Lubonja dhe Drini Zeqo. Megjithatë, një projekt i tillë është ende duke u përgatitur nga produksioni, por me gjasa do të jetë ‘Big Brother 5’, ai që do të mbledhë të gjitha yjet e edicioneve të mëparshme. Deri më tani, gjithçka që kemi mundur të mësojmë është se stafi është duke u përgatitur për të nisur një edicion të katërt, më herët se janari. Nëse gjithçka shkon mirë dhe brenda parashikimeve, ‘Big Brother 4’ do të fillojë në dhjetor. Sa i përket edicionit me yjet nga vitet e mëparshme, ideja është ende në fazën e diskutimeve, pasi stafi ende nuk ka nisur kontaktimin e konkurrentëve për të biseduar rreth kontratave të tyre.
Ajo që është e sigurt, është fakti se “Big Brother 5” do të jetë krejt ndryshe nga edicionet e mëparshme, ku yjet do të jenë pa diskutim të pranishëm. Sakaq, në rrjet kanë nisur të përfliten edhe personazhet e parë që do të jenë pjesë e këtij formati. Konkretisht, janë vetë personazhet, që në deklaratat e tyre, shprehen se do të bëhen pjesë e “Big Brother”. E teksa ende nuk dihet data se kur do të nisë “Big Brother VIP”, duket se është zbuluar banori i parë i shtëpisë së madhe. I ftuar në emisionin “Top Arena”, Zerka pohoi pyetjen e moderatores Alesia Bami.
“Ka zëra që thonë që ti do të jesh banori i parë i Big Brother VIP 4”. “Kjo është e vërtetë”, u përgjigj reperi, duke u shndërruar kështu në kryefjalën e mediave, si banori i parë i edicionit të katërt të “Big Brother”. Megjithatë, lajmi se do të mundet të shohim në një “Big Brother”, Ilirin, Luizin dhe Eglën, tashmë ka marrë të gjithë vëmendjen e publikut.
Në rrjetet e tyre sociale, fansat kanë nisur të pyesin personazhet, nëse thashethemet që po qarkullojnë janë të vërteta. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u zbuluar shumë më vonë. Deri atëherë, jemi të sigurt që do të mësojmë emra të tjerë që tashmë i ka shkuar ftesa për të qenë pjesë e formatit të dashur për publikun.