Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka thënë se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj para 25-vjetësh.
Në seancën solemne të mbajtur të hënën në Kuvendin e Kosovës me rastin e vizitës së tij, Blairi ka kujtuar të rënët për liri, duke shprehur mirënjohje të përjetshme për ta.
“Nuk mund t’ju falënderoj për mirëpritjen që keni bërë ndaj meje.
Në këtë ditë 25 vjet më parë u arrit marrëveshja. Kosova më në fund u lirua, njerëzit mund të jetojnë, të shpresojnë, të besojnë sërish në të ardhmen e lirë nga presioni dhe padrejtësia.
Sot kujtojmë ata që vdiqën, që dhanë jetën për çlirimin e këtij kombi.
Ne kujtojmë guximin e tyre, sakrificën e tyre dhe shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme për ta dhe për familjet e tyre. Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme.
Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë”, ka thënë Blair.
Ai shtoi se për t’i nderuar të rënët, sot duhet të punohet për ta ndërtuar shtetin.
“Po, ishte një luftë për liri, por jo thjesht për gjendjen e të qenit i lirë, por sepse liria hap mendjen dhe shpirtin e njeriut.
Ne i dhamë fund një makthi atëherë, por mund të ndërtojmë një ëndërr tani.
Kjo është ajo që u kemi borxh atyre që kujtojmë sot. Këtë do të dëshironin ata, kjo do të ishte dhurata më e madhe për ata që e bënë detyrën atëherë, ne ndjekim shembullin e tyre dhe e bëjmë detyrën tonë tani. Për popullin, për të ardhmen dhe për kombin e bukur të Kosovës”, ka thënë ai.