Trajneri i Kombëtares, Sylvinho në një intervistë për Corriere della Sera foli jo vetëm për sfidën me Italinë, por u ndal edhe te raporti me Roberto Mancinin, dikur ndihmës i tij tek Interi.
“Gjatë shortit mendova, fatmirësisht nuk është ai në stol. Të luaja kundër tij do të ishte e çuditshme. Gjithsesi me apo pa Mancinin, për ne do të jetë e vështirë. Si një brazilian, Italia më ka bërë për të qarë në 1982 me Paulo Rossin, por unë e dua shumë atë.
Çfarë kam marrë nga Mancini? Kam marrë shumë, ai është një menaxher i shkëlqyer, i njeh lojtarët, ka personalitet, lidership, qetësi. Unë shpresoj vetëm që t’i kem dhënë diçka atij”, theksoi Sylvinho.
Më pas Sylvinho foli për Kombëtaren që drejton dhe shanset që Shqipëria ka në Grupin B të Euro 2024, ku më 15 qershor luajmë kundër Italisë në Dortmund.
“Për çfarë shquhet ekipi im? Për organizim, kjo është thelbësore nëse ke pak kohë që punon.
Fituat kualifikueset, por shorti iu vendosi në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë?
Nuk e morëm keq shortin, dëshirojmë të luajmë kundër më të mirëve. Jemi një përfaqësuese e re, kjo është hera e dytë që marrim pjesë në një Evropian, pas 2016 me De Biasin. Jemi rritur shumë, por duhet të mësojmë akoma më shumë. Duhet ta shfrytëzojmë me përgjegjësi këtë moment, jemi të karikuar.
A është Italia favorite të shtunën?
Është e drejtë që të jetë kështu, por futbolli është i çmendur, mund të ndodhë gjithçka.
Shqiptarët me pasaporta të dyfishta zgjedhin gjithmonë fanellën e kuqe, a mund të bëjë diferencën?
Po, ekziston një ndjenjë unike e përkatësisë. Këta djem luajnë për gjyshërit, baballarët, nënat e tyre. Në dhomat e zhveshjes, kur kërcejnë me muzikë shqiptare, u shpërthen dashuria për rrënjët e tyre. E bukur”.”, u shpreh ndër të tjera Sylvinho.