Përfundon në kohë rekord rruga e re “Grigor Cilka”, e cila lidh Njësinë 2 me lagjet e Farkës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj falenderoi banorët për durimin dhe punëtorët që kryen punimet në një kohë të shkurtër.

Përveçse do të rrisë vlerën e pronës, Veliaj u shpreh se rruga pritet të lehtësoje ndjeshëm qarkullimin e mjeteve. “Kemi hedhur beton, çelik dhe hekur për të mbajtur shtëpitë, duke investuar një vlerë më të madhe se vetë shtëpia. Fakti që kemi pasur mirëkuptimin tuaj dhe fakti se të gjithë kanë qenë bashkëpunues, më bën të ndihem krenar. Shpresoj që rrugët kapilare të çlirojnë pak trafikun. Trafiku që krijohet te rrethrrotullimi i Saukut dhe rrethrrotullimi i Lundrës është një trafik i panevojshëm, sidomos për ata që, në fakt, e kanë më kollaj të përdorin rrugët dytësore për të shkuar në shtëpi”, tha Veliaj.

Ai përmendi një lajm të mirë për banorët, kur tha se qeveria ka miratuar vendimin që mundëson lehtësimin e procedurave në zonat rurale, kur bëhet fjalë për ndërtimin e një papafingoje, riparimin e një çatie, veshjen e banesave me sistem kapot apo vendosjen e mureve mbajtëse dhe rrethuese. “Për këto punë, deri dje, njerëzit duhet të vinin te bashkia e madhe, të bënin procedura me arkitekte, çka kushtonte më shumë arkitekti se sa vetë çatia e shtëpisë. Më vjen mirë që ky non sens u zgjidh me dashamirësinë dhe vullnetin e kryeministrit dhe shumicës tonë në qeveri. Kjo nuk do të thotë se duhet abuzuar, por bëhet për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve”, sqaroi Veliaj.

Erozioni dhe rrëshqitja e dherave, janë shqetësime që banorët nuk do t’i hasin më pas investimit në rrugën “Grigor Cilka”. Veliaj i ftoi qytetarët në bashkëpunim që punët e mira të vazhdojnë, duke përmendur disa prej projekteve.

“Kemi ende punë për Teatrin e Ri, për Kopshtin Botanik dhe Terminalin te Kthesa e Kamzës, por ndërkohë jemi fokusuar edhe me investime nëpër lagje, në rrugët që lidhin njësitë. Deri dje na dukej se ishte fundi i botës në ndarjen mes zonës rurale dhe zonës urbane. Por, kur bëhet rruga në Zall-Bastar, kur bëhet rruga në Krrabë, kur bëhet rruga në Zall-Herr, atëherë edhe zona rurale ia merr të mirat qytetit, duke ruajtur traditën dhe jetesën në një zonë të jashtëzakonshme”, u shpreh Veliaj.

Me apelin ndaj qytetarëve që të sinjalizojnë çdo problematikë, kryebashkiaku iu rikujtoi atyre që të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”, ku 50% të vlerës e paguan bashkia dhe 50% mblidhen nga kontributet e banorëve. “Kush ka nevojë që pallati i tyre të vishet me sistem kapot, kush ka nevojë për një ashensor, kush ka nevojë për panele diellore, bashkia paguan gjysmën e investimit”, shtoi ai.