Jeni të lodhur nga të njëjtat destinacione të vjetra turistike të pushtuara nga turizmi masiv? Gjatë tre viteve të fundit, është regjistruar një rritje prej 19% e turizmit drejt vendeve më pak të njohura, shkruan Antoine Lourta në një artikull të botuar në revistën franceze “Buzzly”.
Cilat janë këto xhevahire të fshehura që meritojnë vëmendjen tonë në 2024? Ne ju sugjerojmë të eksploroni pesë destinacione të reja me histori dhe kulturë të pasur dhe peizazhe që të lëne pa frymë.
Këto destinacione ofrojnë një mundësi të pakrahasueshme për të bërë një zbulim të vërtetë turistik në vitin 2024.
Shqipëria, Letonia, Butani, Madagaskari apo Bolivia, ofrojnë mrekulli natyrore, aventura të paharrueshme dhe “një zhytje të thellë” në kulturat e tyre unike.
Historia e Shqipërisë
Shqipëria ka një histori çuditërisht të pasur që daton që nga kohërat parahistorike.
Duke qenë nën sundimin osman për disa shekuj, ajo fitoi pavarësinë në vitin 1912.
Pavarësisht nga një e kaluar e trazuar e shënuar nga një diktaturë e ashpër nën sundimin komunist, Shqipëria është sot një komb që kërkon të ripërcaktojë veten.
Vendi mesdhetar shquhet për ndërthurjen e kulturave, të ndikuar nga ilirët, romakët, bizantinët dhe osmanët.
Pse nënvlerësohet Shqipëria
Pavarësisht potencialit të saj të madh turistik, prej disa vitesh Shqipëria ka qënë një nga destinacionet më pak të njohura.
Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së publicitetit dhe ndërgjegjësimit për pasurinë e saj kulturore, historike dhe natyrore.
Shumë udhëtarë priren të shkojnë drejt destinacioneve të famshme evropiane, por Shqipëria është një vend magjepsës që ka shumë për të ofruar!
Disa nga atraksionet kryesore turistike në Shqipëri
Shqipëria ka shumë vende me interes si Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, një zonë e mbrojtur që ofron pamje mahnitëse të Tiranës, kryeqytetit të vendit.
Qyteti historik i Gjirokastrës është një tjetër destinacion që duhet vizituar në këtë destinacion atipik.
I listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për qendrën e tij të ruajtur mirë osmane, ai shpesh quhet “Qyteti i Gurtë”.
Mos humbisni plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare, siç është Dhërmiu, i cili ofron plazhe të mrekullueshme dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.
Destinacioni i ri për t’u vizituar në 2024
Shqipëria ofron një ndërthurje unike të kulturës, peizazheve dhe historisë që e bën atë intriguese për udhëtarët aventurierë.
Çfarë e bën këtë destinacion tërheqës për vitin 2024?
Në vitin 2024, ky destinacion do të tërheqë vëmendjen e vizitorëve falë veçantisë, autenticitetit dhe evolucionit të tij në infrastrukturën turistike.
Për më tepër, turistët po kërkojnë destinacione më pak të mbushura me njerëz për të shmangur turmat dhe për të përjetuar një përvojë të re./ATSH