Ato janë të heshtura, shpesh kënaqen dhe me fitime të ulëta, por ia kanë dalë të triumfojnë në një mjedis, që dominohet nga sipërmarrjet që zotërohen nga burrat. Por, sërish mbeten në minorancë. Nga 500 sipërmarrjet me kapital privat vendas ose të përbashkët (përjashtuar bizneset me kapital shtetëror dhe ato me pronësi të huaj), me xhiron më të lartë në vend, vetëm 68 prej tyre, ose rreth 14% kanë të paktën një femër aksionere, me pjesëmarrjen më të lartë sesa 5%.
Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në listën e 500 kompanive më të mëdha në vend, të renditura sipas të ardhurave, pas një përzgjedhjeje sipas gjinisë së aksionerëve. Vetëm 19 sipërmarrje në listën e 500 më të mëdhave, ose 4%, zotërohen 100% nga femra. 39 sipërmarrje, ose 8% e totalit janë në pronësi 50% nga femra.
“Monitor” publikon për herë të parë renditjen e 68 bizneseve më të mëdha në vend, që kanë të paktën një femër, që zotëron më shumë se 5% të aksioneve (shiko tabelën). Modestia e tyre ishte e dukshme. Disa nuk pranuan të flisnin për sfidat e sipërmarrjes në vend, ndërsa të tjera pranuan vetëm pas këmbënguljes së “Monitor”. Shumë nuk e ndiejnë veten që janë faktor në biznes, apo model frymëzimi.
“Sfidat e grave janë thuajse të njëjta kudo, por jo rrethanat dhe mundësitë. Në rajon, gratë kanë ende nevojë për akses te prona, te të ardhurat, biznesi, vendimmarrja – asete të cilat në shoqëritë tona, në mënyrë dominuese, zotërohen nga burrat”, thotë znj. Majlinda Bregu, e cila sot drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, me seli në Sarajevë.
Ajo shton se për gratë është më e vështirë të nisin rrugën e sipërmarrjes, për shkak të stereotipave gjinorë, duke krijuar kështu një “Gender Gap” në sektorin e biznesit.
“Dhe këto nuk janë opinione personale, por të mbështetura nga statistikat: Gratë vazhdojnë të përballen me disavantazh dhe diskriminim në të gjitha fushat e jetës ekonomike. Ballkani Perëndimor humbet 5% të PBB-së së tij çdo vit, për shkak të hendekut të pjesëmarrjes së grave si sipërmarrëse, ndërkohë që PBB-ja jonë mund të jetë 20% më e lartë nëse gratë do të merrnin pjesë në tregun e punës, në të njëjtin nivel me burrat”.
Etleva Laro është një nga hyrjet më të fundit në listën e sipërmarrëseve më të mëdha sipas xhiros. Prej vitit 2015 ajo hapi e vetme një fabrikë prodhimi këpucës, “Pro Dyn”, që sot është më e madhja në vend dhe ka rreth 700 të punësuar, me plan për të arritur nivelin e para pandemisë me rreth 100%. Ajo thotë se numri i ulët i aksionereve ka të bëjë edhe me të qenit femër.
“Ne si natyra jemi pak më të matura kur vjen puna për analizën e rreziqeve. Mendoj se jemi më të përmbajtura kur ndërmarrim vendime dhe mundohemi të eliminojmë rrezikun në mënyrë që të reduktojmë vendimmarrjen e lidhur me rreziqet më të larta. Unë personalisht nuk jam e tillë, dhe mendoj se kjo ka qenë një përparësi e madhe për mua. Rrezikoj më shumë, veçanërisht në botën e biznesit. Por mendoj që kjo është në përgjithësi ajo që bën femrat më pak të guximshme.
Në anën tjetër, mungesa e aksesit të kapitalit nuk vlen vetëm për femrat, por sidomos për të gjithë sipërmarrësit e rinj. Për bizneset, kjo mungesë e aksesit në kapital shumë shpesh i pengon ata që duan të rriten. Megjithatë, unë nuk e shoh si të pamundur, edhe në këtë realitet. Ka nevojë për një vizion të qartë pa bërë kompromise me cilësinë e asaj që do të bësh”.
Vilma Nushi mbetet sipërmarrësja më e madhe femër në vend, sipas të ardhurave. Ajo është aksionere 100% e “Marketing & Distribution”, një nga sipërmarrjet kryesore të distribucionit në vend, e krijuar në vitin 1997.
Znj. Nushi ka mbajtur gjithnjë një profil të ulët në publik. Në 2022, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 8.5 miliardë lekë, me rritje prej 6% me bazë vjetore. Sipas të dhënave zyrtare, për rreth 3 dekada, “M&D” është një nga kompanitë më të mëdha të logjistikës dhe distribucionit në Shqipëri.
Kompania plotëson kërkesat e çdo kategorie klienti si Retail, HORECA, ElektroServis, Farmaceutikë, Telekomunikacion, etj. Përmes “Marketing & Distribution”, znj. Nushi ka 80% të aksioneve dhe në “3P Life Logistic”, kompanisë që po zbaton Kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik-Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç.
Hava Ismaili zotëron 30% të aksioneve të “Agro Blend Group”. Kompania është krijuar që në vitin 1995 nga Fiqiri Ismaili, ndërsa zonja Ismaili është shtuar fillimisht si aksionere në vitin 2001, pasi “Agro Blend” përthithi “Blend sh.p.k”. Aktualisht znj. Ismaili zotëron 30% të kuotave të “Agro Blend”, duke qenë njëkohësisht dhe një nga administratoret e kompanisë.
Shoqëria është më e madhja në vend për import-eksport, tregti me shumicë dhe përdorim të plehrave kimike, pesticideve. Në 2022, qarkullimi vjetor ishte 8.2 miliardë lekë, me rritje 34% me bazë vjetore. Sipas të dhënave zyrtare, kompania e nisi biznesin në tregtinë e pesticideve dhe plehrave të kërkuara nga fermerët në rajonin e afërt, duke u zgjeruar më pas në të gjithë vendin.
Donike Gega është aksionere 100% në “Gega Center GKG”, një nga sipërmarrjet më të mëdha në vend të tregtimit me pakicë të karburanteve. Kompania është krijuar në vitin 2005, por znj. Gega është bërë aksionere në vitin 2012. Të ardhurat e shoqërisë në vitin 2022 ishin 7.7 miliardë lekë, me rritje 29.5% me bazë vjetore. Sipas të dhënave zyrtare, “Gega Oil Group Sh.a.” dhe “Gega Center GKG Sh.p.k.” shitës me pakicë, kanë mbi 87 pika karburanti në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 2022, kompania tregtoi 338 mijë tonë naftë 10 ppm dhe benzinë 95+ Oktan.
Melika Leka zotëron 33% të aksioneve të grupit më të madh të industrisë përpunuese në vend, EHW. Znj. Leka u bë aksionere në vitin 2016, pas kalimit të aksioneve nga bashkëshorti i saj, që ishte një nga themeluesit e EHW-së, që në vitin 1992, së bashku me një partner italian (ky i fundit u largua nga shoqëria në 2005-n).
Kompania EHW operon në sektorin e përpunimit të mishit dhe prodhimeve të sallameve e proshutave. EHW kishte në vitin 2022 një qarkullim vjetor prej 7.5 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 31%. Prej disa vitesh, EHW raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama”.
Merita Sheqi është një nga pionieret e industrisë së farmaceutikës. Në vitin 1999 themeloi së bashku me bashkëshortin shoqërinë e distribucionit të produkteve farmaceutike “Rejsi Farma”, me 50% të kuotave secili.
Ndër vite, kompania është rritur, nuk i ka lënë asgjë rastësisë, teksa ka ruajtur standardet në një treg me konkurrencë të fortë dhe është sot më e madhja në segmentin ku ajo vepron.
“Rejsi Farma” kishte të ardhura prej 4.6 miliardë lekësh në vitin 2022, me zgjerim prej 11.7%.
Yllkë Likometa zotëron dy shoqëri në listën e më të mëdhave, që kanë aksionere femra. Znj. Likometa është aksionere me 67% në “R.B.H. BELINË”, me aktivitet në hidrokarbure dhe prodhimin e bitumit. Kompania e nisi aktivitetin në 2012, ndërsa znj. Likometa është shtuar si ortake në 2016, në një biznes familjar. “R.B.H. BELINË” realizoi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh në 2022, me një zgjerim vjetor prej rreth 5%.
Ajo është 100% aksionere dhe në “IZVOR 99” nga viti 2021. “IZVOR 99”, e krijuar që në 1999, kishte të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh në 2022, me rritje 35%. Lori dhe Sara Hoxha zotërojnë përmes kompanisë “Loresa”, 38% të aksioneve të “Digit-Alb”, shoqërisë që u krijua nga i ati i tyre, Dritani, në 2004. Kompania është operatori më i madh i shërbimeve televizive me pagesë në vend, me të ardhura prej 3.3 miliardë lekësh në 2022. Ndërsa “Digit-Alb” është në pronësi të një grupi aksionerësh, në biznesin tjetër të familjes “Top Channel”, motrat Hoxha (me nga 20% të aksioneve secila) së bashku me të ëmën janë vendimtare në drejtim.
“Top Channel” raportoi të ardhura prej 1.4 miliardë lekësh në 2022. Eleni Babameto është nga sipërmarrëset e para në vend. Së bashku me bashkëshortin krijoi biznesin me emër “Teuta”, që në vitin 1994.
Sot “Teuta” është një nga sipërmarrjet më të mëdha të shpërndarjes në vend dhe operon në dy sektorë kryesorë: paketim dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore. Kompania u ka dhënë gjithmonë përparësi përmirësimeve në teknologji, zgjerimit të gamës së artikujve dhe menaxhimit të tregut. Në vitin 2022, shoqëria realizoi një qarkullim vjetor prej 3 miliardë lekësh, me rritje 22% me bazë vjetore.
Etleva Laro është një sipërmarrëse që ka hyrë relativisht vonë në biznes, por që arriti brenda pak vitesh të bëhet më e madhja në industrinë e prodhimit të këpucëve. Znj. Laro është themeluesja e vetme e “EFA Solution”, që nisi aktivitetin në 2015, duke qenë një ndër bizneset më të reja në listën e kompanive më të mëdha që kanë në pronësi femra. Në 2022, “EFA Solution” raportoi të ardhura prej gati 3 miliardë lekësh, me dyfishim nga viti i mëparshëm.
Mimoza Çobo dhe të bijat, Denisa, Nensi dhe Paola zotërojnë 100% të kompanisë “D E N I S A”. Shoqëria u krijua nga znj. Çobo në vitin 2005 dhe është e orientuar tek importi i lëndëve drusore për mobilie. Në vitin 2022, qarkullimi vjetor arriti në 2.9 miliardë lekë, me rritje 19% me bazë vjetore. Ka disa biznese që duket se janë më të përshtatshme për sipërmarrëset femra. Në raport me renditjen e TOP 500, në listën e sipërmarrjeve më të mëdha, femrat dominojnë në dy aktivitete, agjencitë e udhëtimeve dhe tregtimi i produkteve farmaceutike.
Krahas znj. Merita Sheqi, që është më e madhja jo vetëm sipas xhiros, por edhe peshës si aksionere, Gentiana Peshkatari zotëron 10% të aksioneve të “Trimed”, me qarkullim vjetor prej 3.5 miliardë lekësh. Besjana Gradica është aksionere me 20% në “Alfamakos”, me xhiro rreth 3.1 miliardë lekë. Tefide Aliaj është aksionere me 10% tek “Ilma”, me të ardhura prej 2.7 miliardë lekësh. Monika Hamzaraj zotëron 35% të “Megapharma”, me të hyra prej 2.5 miliardë lekësh.
Udhëtimi është pasioni i shumëkujt, por organizimi i tyre nuk është një detyrë e lehtë. Dominuese janë femrat në agjencitë e udhëtimit, të cilat prej disa vitesh renditen ndër sipërmarrjet më të mëdha sipas xhiros në vend, pas një ndryshimi në mënyrën se si ato i raportojnë të ardhurat (duke mos përfshirë më vetëm komisionet).
“ALBTOURS”D”-VAS tour operatore” është operatori më i madh në vend në këtë segment, me 30% të aksioneve që zotërohen nga Entela Mehmeti. Eleonora Gjonpalaj është aksionere e vetme e “Globus-Travel”; Arisa Lekgjonaj zotëron “Coral Travel”; Flojera Gjino ka 50% të aksioneve të “Kalemi Travel & Tours”. Motrat Bardhi, Jeta dhe Vojsava, prej vitesh drejtojnë “Savatours”.
Në totalin e 68 sipërmarrjeve me pronësi femra mbizotërojnë tregtia me shumicë e produkteve të ndryshme, kryesisht ushqimore, dhe të karburantit, por kjo është në linjë dhe me strukturën e ekonomisë dhe listën e 500 më të mëdhenjve në vend.
Nuk mungojnë as sipërmarrjet e ndërtimit, një tendencë kjo e njëjtë dhe me renditjen e 500 më të mëdhave, teksa ky sektor ka marrë hov vitet e fundit. Më e madhja e ndërtimeve është “Ante-Group”, ku Enka Qefalia dhe Entela Merko kanë së bashku 25% të aksioneve. Brixhilda Pepa dhe Urjola Pepa kanë së bashku 50% të “Pepa Group”. Në fushën e telekomunikacioneve, Kristina Papa zotëron 100% të “Intercom”.
Guxojnë më pak, apo priren më pak të bëjnë pazare e të korruptohen?! Në kompanitë koncesionare, që janë më fitimprurëset në vend nuk ka femra dhe ato pothuajse mungojnë dhe në sipërmarrjet e mëdha të ndërtimit, apo subjektet që kryesisht punojnë me tendera.
Norma e fitimit për 68 sipërmarrjet me aksionere femra ishte 5.2%, më e ulët sesa mesatarja e vendit prej rreth 9%, sipas të dhënave që publikohen nga INSTAT. Norma më e lartë e fitimit është 27%, nga “B.M” SH.P.K. me aksionere 100% Sonjela Gjonaj, me aktivitet në tregtinë me shumicë të lëndëve të para bujqësore dhe e dyta është 17% nga “F.Z.Construction sh.p.k.”, me aksionere të vetme Tefta Zekaj./ Monitor