Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj komentoi protestat e dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës për lirimin e Sali Berishës nga arresti në shtëpi. Gjatë takimit me socialistët e Lagjes 13 në kryeqytet, Veliaj tha se qëllimi i vetëm i aksionit të Rithemelimit është lirimi i Sali Berishës.
“Vijnë aty dhe thonë ‘lironi babin’. Po ç’punë kam unë me babanë tuaj? Jam këtu që të shërbej si Kryetar i Bashkisë, jam këtu të mbledh mbeturinat, jam këtu të sigurohem që linja e Kopshtit Zoologjik të funksionojë. Jam këtu që të pastroj liqenin, që ujërat e zeza dhe fekalet të mos shkojnë atje. Jam këtu që të bëj kontratën e çerdhes dhe kopshtit. Jam këtu të ndërtoj 9-vjeçaren dhe gjimnazin. Unë nuk jam gardiani i babit të tyre. Dhe këta vijnë te bashkia dhe thonë ‘ndaloje ti punën që të dalë babi nga shtëpia’”, tha ai. Ndryshimi i madh mes PS dhe opozitës, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj, është te qasja që kanë me drejtësinë. Rithemelimi e përdor partinë për të sulmuar drejtësinë, kurse PS ka dhënë kontributin e saj në ngritjen e kësaj drejtësie që u kërkon llogari të gjithëve.
“Si ka mundësi, kur vijnë të bashkia thonë “bravo drejtësia”?! Patjetër që “bravo drejtësia”, se e ka votuar PS, që t’i kërkojë llogari të gjithëve, drejtorëve, ish-drejtorëve, ministrave, ish-ministrave, deputetë e ish-deputetë, kryetarë bashkie, ish-kryetarë bashkie, të gjithëve. Ky është qëndrimi ynë, që kush ka llogari për të dhënë, duhet ta japë. Këta kalojnë tre rrugë më tutje dhe thonë ‘poshtë drejtësia’. Domethënë, drejtësia te “Murat Toptani” qenka e mirë, kurse drejtësia te “Mustafa Matohiti” qenka e keqe. Vijnë aty poshtë bashkisë dhe thonë ‘lironi babin’. Nuk e kam unë Saliun në bashki, ju premtoj. Kjo është një mënyrë për të vazhduar që të djegin goma dhe në fakt këtë kanë bërë tërë jetën”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se sot Tirana e mbushur me turistë jeton një realitet tjetër nga koha kur në krye ishte Sali Berisha. “Sot sigurisht, janë në opozitë, nuk vrasin dot njerëz siç vrisnin në 21 janar. Babi sot nuk vret dot, babi nuk u thotë dot gardianëve do t’ju mbajë te birucat poshtë Kryeministrisë dhe t’i thotë Prokurores “lavire bulevardi” dhe Presidentit “horr bulevardi”. Sot ata nuk i bëjnë dot ato dëme, sot shqetësojnë turistët vetëm një orë në Tiranë, teksa djegin goma, por janë të njëjtët. Ata pa pushtet dhe shih ç’pengesa bëjnë, për çdo njeri që do të punojë. Imagjino kur kishin pushtet!”, deklaroi Veliaj.