Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e masave ajrore të nxehta me origjinë afrikane duke sjellë mot të kthjellët dhe temperaturat shumë të larta në pjesën më të madhe të territorit, ku vlera ekstreme priten në qarqet Elbasan, Berat dhe Gjirokastër mbi 40 gradë celcius.
Pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të herëpashershme përgjatë gjithë territorin, por më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat malore verilindore dhe juglindore, megjithatë nuk do të ketë reshje.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 13°C vlera minimale deri në 41°C vlera maksimale në rang territori.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 30 km/h nga drejtimi kryesisht Verior duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të papërfillshëm.
Kosova
Do të mbeten prezente masat ajrore afrikane duke sjellë mot të kthjellët dhe të nxehtë në pjesën më të madhe të Kosovës gjatë orëve të para të ditës. Pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore përgjatë shtrirjes Veri – Veriperëndim. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 14°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Mitrovicës deri në 35°C vlera maksimale e cila do të shënohen në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë e lehtë paradite por mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtesinë maksimale deri në 35 km/h nga drejtimi kryesisht verior.
Maqedonia e Veriut
Moti i kthjellët dhe shumë i nxehtë do të mbizotërojë në të gjithë republikën e MV, ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë zonave në Jug dhe Jugperëndim të territorit ndërsa me kthjellime dhe vranësira të lehta do të paraqitet moti në pjesën tjetër të MV edhe pse vranësirat do të jenë të dukshme në veri dhe verilindje të MV nuk priten reshje. E njëjta situatë e qëndrueshme meteorologjike do të vijojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 15°C vlera minimale deri në 39°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por deri mesatare; në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtesinë maksimale 35 km/h nga drejtimi Verior- Veriperëndimor.
Europa
Britania e madhe është përfshirë prej disa ditësh nga një sistem i fuqishëm frontal duke sjellë vranësira, erë të fortë si edhe shira në formë shtrëngatash. Po ashtu, rajoni i Balltikut si edhe Europa Qendrore do të vijojnë me vranësira konvektive duke gjeneruar rrebeshe shiu ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit të Europës do të dominohet nga mot i kthjellët dhe temperatura të larta, ku vlera më ekstreme priten në gadishullin e Ballkanit, Italinë Jugore si edhe brigjet greke.