Qeveria ka çuar në Kuvend ratifikimin e kontratës për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, bëri të ditur se Qeveria ka propozuar projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për financimin e projektit “Linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit-porta globale” me vlerë 100 milion euro.
Projekti synon të lidhë nëpërmjet hekurudhës, Shqipërinë me Malin e Zi nëpërmjet stacionit të përbashkët hekurudhor të Tuzit drejt Podgoricës, e më tej drejt lidhjeve hekurudhore ndërkombëtare midis kryeqyteteve, duke përfshirë Beogradin, Zagrebin, Lubjanën edhe Budapestin & do të japë një shtysë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.