Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, ka dhënë detaje për finalizimin e fazës së dytë të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli 3”. Në një deklaratë për mediat, Vocaj ka deklaruar se gjithsej janë dhënë 24 urdhër arreste, nga të cilat janë zbatuar 19, ndërsa 5 persona janë shpallur në kërkim.
Mes të arrestuarve është Armando Xheladini, alias Jetnor Cenallari, alias, Armando Tarushllari i arrestuar në maj të këtij viti për vrasje me dashje për një vrasje të ndodhur në Greqi. Nga aksioni në Tiranë janë sekuestruar 1.2 kilogramë kokainë, qindra doza heroinë dhe kanabis, 12 celularë, 5 automjete si dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera.
Deklarata e plotë:
Jam sot, këtu, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, për të bërë prezente fazën e dytë operacionale të megaoperacionit të koduar “Tempulli 3”, ku në funksion të 2 procedimeve penale të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndjekur për një periudhë hetimore tremujore, gjatë së cilës janë aplikuar metoda speciale të hetimit, u dokumentua me prova ligjore veprimtaria kriminale e disa shtetasve që shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, afër shkollave, si dhe në lokale nate. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të masave të përcaktuara në paketën e sigurisë në shkolla dhe të prioritetit të Policisë së Shtetit, për të garantuar një mjedis sa më të sigurtë për nxënësit dhe për të parandaluar fenomenet negative në vijimësi, ka zhvilluar kontrolle dhe operacione për të goditur elementet dhe grupet kriminale që tentojnë të zhvillojnë veprimtarinë kriminale ku marrin pjesë të rinjtë.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, dhe në vijim të dy megaoperacioneve mbarëkombëtare “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka regjistruar 2 procedime penale të vitit 2024. Pas një hetimi tremujor të kryer me metoda speciale të hetimit nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të 24 shtetasve.
Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për 19 shtetas, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi. Gjatë operacionit u arrestuan 19 shtetas ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, konkretisht:
K. H., 26 vjeç, D. K., 39 vjeç, O. V., 21 vjeç, H. F., 20 vjeç, F. Gj., 32 vjeç, V. Xh., 42 vjeç, A. Xh., 52 vjeç, O. I., 62 vjeç, L. K., 26 vjeç, M. K., 32 vjeç, K. H., 24 vjeç, R. M., 25 vjeç, M. S., 18 vjeç, R. Sh., 33 vjeç, D. G., 21 vjeç, R. D. (S.), 52 vjeçe, E. B., 37 vjeçe, A. Sh., 33 vjeç, B. K., 34 vjeçe (arrestuar më parë gjatë zhvillimit të hetimeve).
Midis personave për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur masë sigurie, është dhe shtetasi A. Xh., alias A. T., alias J. C., 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar në muajin maj të këtij viti, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, për një ngjarje të ndodhur në shtetin grek. Giithashtu po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 5 shtetasve të tjerë.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
➢ 1.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
➢ qindra doza të lëndëve të dyshuara narkotike heroinë dhe kanabis;
➢ 12 celularë;
➢ 5 automjete;
➢ shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.