Nisja e hetimit nga SPAK për “21 Janarin” duket se nuk ka lënë indiferent Ilir Metën, shkak i thirrjes së protestës në atë kohë nga socialistët pas publikimit të një video nga emisioni investigativ Fiks Fare, që hodhi dyshime të forta për akte korruptive të zv/kryeministrit Ilir Meta, me ministrin e Energjitikës, të ndjerin Dritan Prifti.
13 vite pas ngjarjes me katër të vrarë, shumë ujëra kanë rrjedhur, por personazhet mbeten të njëjtën. Lulzim Basha pak ditë më parë u pyet se kush dha urdhër për të qëlluar mbi protestuesit, por nuk kishte asnjë përgjigje. Sot ai që foli për përgjegjësi ishte Ilir Meta, i cili e drejtoi gishtin e akuzës drejt ministrit të Brendshëm të kohës.
“Nëse ka një përgjegjësi për ’21 janarin’, është përgjegjësi direkte për Lulzim Bashën, ministri i Brendshëm i asaj kohe, i cili është paralajmëruar edhe zyrtarisht për gjakderdhjen që ka parashikuar të bëjë nga banditët e Edi Ramës. E ka patur me letër e shkresë skenarin dhe nuk kishte marrë asnjë masë as nga policia as nga garda për të parandaluar ato vrasje të shëmtuar që ndodhën në Bulevard”, tha Meta.
Tonet kërcënuese, Ilir Meta i vijoi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
“SPAK është një organizatë kriminale, që drejtohet nga Dum Dumani. Risjellim një çështje që bëhet për të sfumuar diskreditimin e Dum Dumanit në parlament javën e kaluar dhe për të mbajtur në presion liderin e PD, pas diskreditimit të plotë të çështjes së klubit “Partizani”. Nuk habitemi aspakt nga këto lojëra të shëmtuara dhe të neveritshme të SPAK dhe tutorëve të tij”, akuzoi Meta.
Pak ditë më parë SPAK mori vendim që të hapë procedim penal për dosjen e nxehtë të “21 janarit”, ndërsa sot pragun e Prokurorisë e kaluan familjarë të Aleks Nikës, vrasja e të cilit është ende e pazbardhur.