Qielli është shndërruar në një fushëbetejë kryesore mes Ukrainës dhe Rusisë. Ushtria e Kievit njofton rrëzimin e 9 dronëve dhe një rakete në orët e fundit që ishin lëshuar nga trupat e Moskës. Nga ana tjetër, Rusia pretendon se ka shkatërruar 3 dronë ukrainas në portat e Shën Peterburgut.
Ministria e mbrojtjes thekson se vetëm në orët e fundit janë rrëzuar 36 dronë të tjerë të nisur nga ushtria e Kievit për në rajonet kufitare, me shumicën prej me shënjestra në Belgorod, Kursk dhe Briansk. Janë raportuar disa të plagosur në tokën ruse dhe dëme materiale. Sakaq, presidenti Volodymyr Zelensky bën bilancin e javës së fundit.
“Ushtria ruse sulmoi Ukrainën me rreth 700 bomba ajrore dhe mbi 100 dronë, vetëm këtë javë”, konfirmon ai duke shtuar se populli po vuan çdo ditë nga terrori rus. “Ukrainasit meritojnë një mbrojtje të besueshme”, nënvizon Zelenski duke kërkuar më shumë armë me rreze të gjatë veprimi dhe sisteme të mira të mbrojtjes ajrore.
“Çdo vendim konkret nga partnerët tanë për të fuqizuar mbrojtjen tonë mund të shpëtojë jetë”, ishte apeli i liderit ukrainas për aleatët perëndimorë. Ai siguron që vendi i tij mund të arrijë qëllimet në luftën me Rusinë. Por Vladimir Putin po shton fuqinë e goditjes. Mediat në Kiev raportojnë se Rusia ngriti në qiell disa bombardues strategjikë Tu-95ms. Në shënjestër ishin rajonet Kherson dhe Mykolaiv.
Kjo vjen pasi presidenti rus kërcënoi Europën me fuqi bërthamore. Putin njoftoi se do të vendosë raketa dhe armë bërthamore në kufirin me vende të BE-së pas vendimit në NATO për vendosjen e raketave amerikane në Gjermani apo shtete të tjera europiane. Shefi i Kremlinit bëri të ditur se do të nisë prodhimi i armëve bërthamore me rreze të mesme.