Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i dha leje shpërblyese që të betohet dhe brenda pesë ditëve të rikthehet në qelinë e tij. Mirëpo, menjëherë mëngjesin e kësaj të hëne, sapo ka dalë nga IEVP Fier, Fredi Beleri ka marrë avionin e parë drejt Athinës.
Një shkelje e pastër e ligjit dhe lejes shpërblyese që i dha Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, shkruan newsbomb.al.
Fredi Beleri ka deklaruar dy adresa banimi në kërkesën e tij për leje shpërblyese dhe institucionet shqiptare e miratuan, duke sqaruar se i dënuari duhet të qëndrojë në banesën e tij në Himarë dhe/ose në Aloft Stasburg Etoile, 2 Acenue du Rhin 67000 Strasburg France.
Pra, siç shihet dhe në dokumentin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i dënuari Dhionisios Alfred Petro Beleri duhet të qëndrojë në njërën nga këto dy adresa, nga data sot 15 Korrik deri më datë 20 Korrik. Megjithatë, është lehtësisht e verifikueshme se ky shtetas ndodhet aktualisht në Greqi, në zyrën e kryeministrit grek.
Kjo është shkelja e dytë dhe më e rëndë që bën Fredi Beleri brenda pak orëve, ndaj mbetet për t’u parë se çfarë masash do të marrë shteti shqiptar dhe vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Prokuroria e Posaçme.
Mosrespektimi i rregullave dhe kushteve të përcaktuara nga DPB, të pranuar dhe me firmë nga vetë Fredi Beleri, e ngarkon të dënuarin me përgjegjësi penale në bazë të nenit 323 të Kodit Penal. Ky nen saktëson se largimi i të dënuarit me burgim nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Por, a do të veprojë ligji dhe shteti shqiptar në këtë rast flagrant të shkeljes së rregullave të lejes shpërblyese për lirimin e të dënuarit?!
Më herët këtë të hënë, newsbomb.al ka raportuar për një tjetër shkelje flagrante të Fredi Belerit. Në ditën e parë të kësaj leje, që praktikisht është sot më 15 Korrik, Fredi Beleri duhej të paraqitej në Komisariatin e Himarës, pasi aty është një nga dy adresat e vendbanimit që ai ka deklaruar. Tjetra është në Stasburg.
Konkretisht, pika 5 e Lejes Shpërblyese për Dhionisis (Alfred) Beleri, thekson:
5 – Ju i dënuari në datën 15.07.2024 duhet të paraqiteni bashkë me një kopje të shkresës “Leje Shpërblyese” në Komisariatin e Policisë Himarë ose përjashtimisht në raste të veçanta, të mbani kontakt të vazhdueshëm me Komisariatin e Policisë së vendqëndrimit çdo ditë në orën 14.00.
6 – Në ditët e tjera, i trajtuar me leje shpërblyese, ju duhet të paraqiteni ose përjashtimisht në raste të veçanta, të mbani kontakt të vazhdueshëm me Komisariatin e Policisë së vendqëndrimit, çdo ditë në orën 14.00.
Pra, Fredi Belerit i është bërë e qartë se në ditën e parë të lejes, duhet të paraqitet fizikisht pranë Komisariatit të Himarës ku ka vendbanimin e deklaruar, për të dorëzuar shkresën e firmosur nga Drejtoria e Burgjeve, për përfitimin e lejes shpërblyese.
Në këto kushte, a e ka thyer ai lejen që ditën e parë?!
Newsbomb.al