Ngjarja e mbrëmjes së 2 prillit ku Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj të mitur dyshohet se u vetëmbytën duke u hedhur në ujërat e lumit Buna, duket si një “deja vu” pasi ditën e sotme u raportua se i njejti rast do të përsëritej, po të mos ishte për ndërhyrjen e forcave të policisë.
Autoritet njoftuan sot se një nënë 27-vjeçare ka tentuar të hidhej në lumin Buna bashkë me 4 fëmijët e saj të mitur, përkatësisht të moshave 7, 5, 3 dhe 1-vjeç. Sipas njoftimit, ngjarja dyshohet të jetë parandaluar rreth orës 14:15. Gjithashtu policia bëri me dije se 27-vjeçarja dhe fëmijët e saj u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër për të kryer veprimet e mëtejshme.
Kjo ngjarje rikthen në memorie 4 viktimat e muajit prill, 39-vjeçaren Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj, të moshave 9, 8 dhe 3-vjeç të cilët gjetën vdekjen në ujërat e lumit Buna. Dyshohet se akti u ndërmor nga Alma Arrazi, nëna, pasi jeta e saj në çift dhe familje po haste vështirësi, me bashkëshortin i cili kishte krijuar një lidhje jashtë martesore. Ky i fundit është arrestuar dhe po përballet me hetimin dhe hapat e tjerë të drejtësisë. Për gjetjen e trupave atë kohë u deshën disa ditë dhe punë intensive kërkimore si nga ana e autoriteteve shqiptare dhe atyre malazeze. Por, të jetë vallë historia e Alma Arrazit një përsëritje pas thuajse 3 muajsh me ngjarjen e sotme?
Njoftimi i policisë:
Shkodër Ndërhyrja e Policisë parandaloi një ngjarje të rëndë. Tentoi të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj të mitur, falë ndërhyrjes së shpejtë nga patrulla e përgjithshme që patrullonte në zonë, pengohet 27-vjeçarja.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rreth orës 14:15, se një shtetase po tentonte të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj, shërbimet e Policisë që patrullonin në zonë, kanë ndërhyrë duke penguar 27-vjeçaren, e cila po tentonte të hidhej në lumë, bashkë me 4 fëmijët e saj 7, 5, 3 dhe 1 vjeç. 27-vjeçarja dhe fëmijët e saj u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.