Shpërthimi në derën e motrave Nikolli në Elbasan ku u lëndua një 29-vjeçar dhe u shkatërruan disa apartamente është një krim ende pa autor.
Por, Alda Nikolli është e bindur se pas këtij krimi fshihet Nuredin Dumani. Në një intervistë Ekskluzive për Top Channel ajo tregon se me të penduarin e drejtësisë kishte krijuar një marrëdhënie prej 2 muajsh, krisja e të cilës pasoi me kërcënime.
“Nuredin Dumanin e kam njohur nëpërmjet kunatit tim Amarildo Xhanejt, që ndodhet në burgun 313. Mendova që donte të njiheshim, por paska pasur qëllim të na përdorë si mua dhe motrën time Xhovanën. Unë nuk e dija që Nuredini kishte të dashur jashtë. Mirjetën. E cila më kërcënoi, më tha më fakto që flet me Nuredinin. Kur ja faltova me një voice, 5 minuta më vonë Nuredini më mori në telefon dhe më kërcënoi. Më pas bllokoi adresat, më la të qetë dy ditë e pastaj veproi”, tregon ajo.
Ajo tregon se Nuredin Dumani pasi dështoi nga tentativa për të dëmtuar statusin e të penduarit të drejtësisë të Amarildo (xhanej) Nikollit nga të dhënat që merrte nga kunata e tij pasi kjo e fundit iu drejtua SPAK duke treguar komunikimet me të, ai veproi hapur në burg.
“Më ka kërcënuar me Amarildon, e ka rrahur dy herë në burg brenda 1 jave e gjysmë”, shprehet ajo për Top Channel.
Sipas Alda Nikollit, Nuredin Dumanin nuk e pengojnë muret e qelisë për të vijuar aktivitetin kriminal.
“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”, shprehet ajo.
Për të gjitha këto ajo i është drejtuar policisë dhe SPAK, por shprehet se është lënë e braktisur.
“Kam shkuar në SPAK dhe në Policinë e Elbasanit, nuk ka shans të bëj një denoncim ndaj Nuredin Dumanit. Në SPAK më thanë ka dashur të të trembë jo të të vrasë, se di mbase këtë radhë edhe e arrin”, tha ajo. .