Policia franceze po heton pasi një grua australiane tha se ishte përdhunuar nga pesë burra në qendër të Parisit. Gruaja 25-vjeçare u strehua në një restorant në lagjen Pigalle të shtunën në mëngjes me fustanin e grisur pjesërisht, raportojnë mediat lokale.
Asnjë arrestim nuk është bërë ende, por prokurorët konfirmuan se oficerët po e trajtojnë hetimin si “përdhunim në grup”. Ngjarja ka ndodhur vetëm disa ditë para hapjes së Lojërave Olimpike 2024 në kryeqytetin francez.
Sipas gazetës franceze Le Parisien, pronarët e restoranteve kërkuan ndihmë kur panë gjendjen e gruas. Ajo u mor nën kujdes pas sulmit të supozuar dhe më vonë u dërgua në spitalin Bichat për t’u ekzaminuar nga mjekët. Zyra e Prokurorit të Parisit tha se policia po hetonte akuzat dhe se ka nisur kqyerja e kamerave të sigurisë në zone.
“Hetimi për akuzën e përdhunimit në grup që ka të ngjarë të jetë kryer natën e 19-20 korrikut i është besuar qarkut të dytë të policisë gjyqësore”, thuhet në njoftim.
Aktualisht ka një prani të madhe policore në terren në Paris për të ruajtur sigurinë e atyre në qytet gjatë Lojërave Olimpike, të cilat fillojnë të premten. Oficerët kanë patrulluar në një numër të madh që nga java e kaluar në Paris, me roje të armatosura rreth lumit Seine.
Disa zona sigurie janë ngritur gjithashtu rreth qytetit me Parisin të ndarë në zona. Kushdo që dëshiron të hyjë në zona të caktuara, duke përfshirë Kullën Eifel, do të duhet të aplikojë për një leje speciale në një platformë të drejtuar nga policia.