Këtë të premte është hapur Tuneli i Llogarasë, i cili pritet që të lehtësojë ndjeshëm trafikun drejt jugut të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me zëvendkryeministren Belinda Balluku dhe ministra të tjerë kanë marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit.
Më pas, ata së bashku me qytetarët kanë përshkruar tunelin me autobus, duke shkëmbyer dhe batuta.
Tuneli ka një gjatësi prej 5.9 kilometra dhe do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt plazheve të Jugut të Shqipërisë. Hyrja për në tunel nis nga Dukati duke shmangur kthesat e Llogarasë dhe del në fshatin Palasë.
Distanca e udhëtimit në këtë segment llogaritet 7-10 minuta, nga rreth 40 minuta që përshkohej duke udhëtuar përmes Llogarasë.
Tuneli i Llogarasë do të jetë pa pagesë këtë sezon, ndërsa vitin e ardhshëm do të paguhet një kosto rreth 5 euro për mirëmbajtje.