Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie të Himarës pas heqjes së mandatit nga ish-kryetarit të zgjedhur Fredi Beleri nga KQZ. Kjo është data e dekretuar pas takimit në presidencë me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi.
KQZ pas shqyrtimit të çështjes ka marrë vendimin sot që Fredi Beleri e humbet mandatin si kryetar i Bashkisë së Himarës.
“Nuk kanë asnjë nxitje jashtë asaj që KQZ e nxit ligji për dekriminalizimin”, tha Celibashi ndër të tjera, teksa shtoi se Komisioni Zgjedhor ka të gjitha kompetencat për të marrë këtë vendim.
“Jemi në kushtet e humbjes së mandati të zotit Fredis Dhionisis Beleri, e shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim brenda 30 ditëve. Ky vendim do të publikohet në faqen elektronike të internetit të KQZ”, ka shtuar ai.
Fredi Beleri i cili garoi nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet lokale të 14 Majit u arrestua nga policia disa orë para zgjedhjeve pasi u kap duke bërë pazare me votat. Më vonë ai u dënua me 2 vite burg nga Shkalla e Parë, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje. Aktualisht Fredi Beleri është zgjedhur eurodeputet i partisë Demokracia e Re e drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dekreton zgjedhjet për kryetar bashkie në bashkinë Himarë. Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj thirri në konsultë z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.
Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.