Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka njoftuar autoritetet kompetente malazeze se ka marrë informacione se ndaj tij po përgatitet një atentat. Ndërkohë në Drejtorinë e Policisë, kanë thënë se nuk kanë të dhëna që do të tregojnë për aktivitete të planifikuara që kanë për qëllim rrezikimin e sigurisë së ish-presidentit Milo Gjukanoviç.
“Ish-presidenti i ka marrë informacionet e lartpërmendura nga disa zyrtarë ndërkombëtarë nga komuniteti i inteligjencës dhe me atë informacion ka njoftuar autoritetet shtetërore”, ka qenë përgjigja nga zyra e Gjukanoviçit pas pyetjes nëse dikush nga sektori i sigurisë e ka informuar atë se siguria e tij ishte në rrezik.
Një burim i afërt me Gjukanoviç tha se një zyrtar i lartë ushtarak i huaj nga Kosova e informoi atë se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte të kryente një atentat, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.
“Sipas nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, Presidenti ka të drejtë në sigurim të përhershëm personal në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga organi kompetent, në pajtim me ligjin. me rregullore pozitive, Agjencia e Sigurisë Kombëtare është përgjegjëse për përgatitjen e raporteve për vlerësimin e kërcënimeve të sigurisë”, njofton Drejtoria e Policisë.
Duke iu përgjigjur pyetjes se a është rritur siguria e Gjukanoviçit, zyra e tij ka njoftuar se ajo është reduktuar.
“Ndryshimet e sigurisë në atë periudhë kanë ndodhur deri në atë masë sa që siguria në vendbanimin e ish-presidentit është hequr gjatë ndërrimit të ditës”.
Ata gjithashtu theksuan se shërbimet malazeze të sigurisë nuk e kanë thirrur Gjukanoviçin apo koordinatorin e tij të sigurisë për intervistë, për të vënë në dukje rrezikun e mundshëm.
“Nuk ka pasur asnjë iniciativë për bisedë nga përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë”, kanë thënë për “Vijesta” nga zyra e Gjukanoviçit.