Kisha e Shën e Premtes (ndërtuar më 1776) është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së parë në vitin 1963 dhe ndodhet në Zonën e Mbrojtur të Qendrës Historike të qytetit të Përmetit.

Kisha është e tipit bazilikë me përmasa 22 metra e gjatë, 16 metra e gjerë dhe 8 metra e lartë.

Mbishkrimi i gdhendur mbi një pllakë guri, tregon për ndërtimin e kishës më 1776, nga kryemjeshtri Ilia Kristo.

Afresku me skena nga shkrimet e shenjta është realizuar më 1808 nga piktori Terpo Zografi. Ikonostasi dhe gdhendjet në dru, janë punuar artistikisht nën drejtimin e Dhimitrit, mjeshtrit shqiptar nga Konica.

Në vitin 1964, Kisha e Shën e Premtes është përmbytur prej përroit që kalon aty pranë. Uji i përzier me baltë shpërtheu derën jug-perëndimore të narteksit dhe mbushi naosin deri në lartësinë 3 metra, duke shkaktuar dëme të mëdha në pikturën murale të kishës.

Punimet për kullimin e ujërave filluan në vitin 1967. Më pas u restaurua narteksi dhe naosi. Gjithashtu muralet e kishës janë restauruar edhe në vitet 1981-1982.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije se në kuadër të projektit për restaurimin e Kishës së Shën Premtes, janë propozuar ndërhyrje në strukturë si më poshtë:

▪Ndërhyrje në çati
▪Muratura
▪Dyshemeja
▪Dyert dhe Dritaret
▪Bojatisje
▪Sistemime të jashtme.