Nga Endri Kajsiu/
Sali Berisha ka lëshuar kushtrimin: “Tre ditët e ardhshme janë vendimtare”. Nuk bëhet fjalë për ndonjë betejë politike që do të përcaktojë fatet e SHQUP-it, si ato që prijësi i fraksionit të foltores zhvilloi kur djali plangprishës i ktheu shpinën.
Politikani i vetëm shqiptar që është shpallur në unison nga aleatët e mëdhenj të këtij vendi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar si i padëshirueshëm për shkak të korrupsionit domethënës të atij vetë dhe familjes së tij, në kohën kur kishte frenat e pushtetit në këtë vend, u bën thirrje shqiptarëve që të vazhdojnë t’i qajnë hallin edhe për pak kohë, dhe të dalin e të mbushin bulevardin në mesin e vapës së korrikut.
U thotë që të vijnë nga të katër anët për të luftuar korrupsionin e qeverisë, dhe në anën tjetër, bashkë me mediat që paguan familja e tij nuk i ndal bataretë e sulmeve kundër institucionit simbol të luftës ndaj korrupsionit, i ngritur dhe mbështetur pa doreza nga qeveria, SPAK.
U bën thirrje shqiptarëve që të derdhen shesheve të Tiranës për të protestuar kundër qeverisë dhe kundër korrupsionit, ndërkohë që rrugëve të Tiranës ka lëshuar dy personazhe që ngjajnë si të dalë prej librave humoristikë të 1800-ës: Gazment Bardhin dhe Flamur Nokën.
I pari pehlivani politik më i paqëndrueshëm që ka prodhuar partia politike e Sali Berishës, i cili ka kapërcyer shtatë herë ylberin nga njëri fraksion politik tek tjetri, dhe i dyti nën hetim nga SPAK për pasurinë, bazuar në akuzat që ka bërë ndaj tij i pari.
Nga foltorja e partisë ku nuk del dot vetë për shkak të arrestit shtëpiak, bëjnë njëri pas tjetrit paradë mode dhe deklaratash luftarake personazhe që kanë lënë jo pak shenjë dhe kanë përfituar jo pak në pushtetin e të shpallurit non grata për korrupsion. Idhtarë të tij, bashkëpunëtorë të ngushtë të familjes, familjarë të pronarëve të mediave të paguara po prej familjes, gjobvënëse mediash dhe biznesesh të mbështjella me mandat deputetesh, të gjithë personazhe që kanë mbi të gjitha një të përbashkët: Besnikërinë ndaj familjes.
Secili prej tyre i ka dhënë provat në mënyrën më poshtëruese të mundshme për vete dhe për karrierën e tyre, që nga dita kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën udhëheqësin e tyre shpirtëror të padëshirueshëm. Për secilin prej tyre ka qenë i pagabueshëm dhe i pangatërrueshëm testi politik që duhej të kalonin, për të qenë në vathën e tij: Luftë kundër SPAK, qëndrime kundër aleatëve strategjikë të Shqipërisë, qëndrim stoik pro Sali Berishës poshtë papafingos në rrugicën e revolucionit.
Tashmë të gjithë duhet t’i përgjigjen kushtrimit të fundit. Në zhegun e vapës së korrikut, duhet të heqin dorë nga pushimet në vilat e ndërtuara në kohën e pushtetit të non gratës, dhe të japin sërish një provë të qëndresës, për hallin e tij.
Njeriu që u shfaq në fillimin e viteve nëntëdhjetë si bartës i shpresave të miliona shqiptarëve që dilnin nga komunizmi, shijonin hapat e para të lirisë dhe kërkonin demokracinë, njeriu që në tre dekada i vrau pak e nga pak ato shpresa, njeriu që për të tjerë breza të lindur në vitet ‘90, 2000, 2010 u shndërrua në një prani konstante që i paraprinte gjithmonë kaosit, tensionit, rrëmujës, që njihte veç gjuhën e urrejtjes e që sot është shndërruar në një pesonazh anektodash dhe humori, ka lëshuar edhe një thirrje të fundit. Gjenerali i ushtrisë së dështakëve po u përgjërohet edhe për një nder të fundit, mercenarëve që i shkuan pas edhe kur bota perëndimore ua nxorri lakuriq mbretin e tyre dhe korrupsionin e tij dhe të familjes.