Ndërron jetë shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare
Ismail Kadare (frëngjisht: Ismaïl Kadaré; Gjirokastër, 28 janar 1936) është akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik[1] dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.[2][3][4][5] Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.[6][7] Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.[2][3][4][5][8]
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin «Man Booker International» më 2005,[9] çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist.[10][11] Ai qe ndër zërat e pakët kritikë, por mendohet se kjo qe e mundur në sajë të mbrojtjes nga vetë diktatori Enver Hoxha. Është parë njëherësh si ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohor, por edhe si nacionalist mendjengushtë.[12]
Disa akademikë janë përsiatur rreth përshkrimit që shkrimtari i ka bërë Shqipërisë nën Perandorinë Osmane si të ndikuar nga prodhimi artistik Orientalist i kohës së regjimit,[13] e përkufizojnë si eurocentrist, esencialist, fundamentalist dhe anti-modernist,[14] duke u bërë shkak i rritjes së islamofobisë dhe racizmit.[13] Në Shqipëri shihet si përfaqësuesi i mitologjisë anti-myslimane.[15]