Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjeri Ndreu ka reaguar pas zbulimit të skemës së mashtrimit, ku emri i tij përdor për të zhvatur qytetarët.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Ndreu thotë se rastin e zbuluan pak ditë më parë dhe u bën thirrje qytetarëve, që nëse janë mashtruar nga autorët, të denoncojnë në polici.
“Një mik, biznesmen nga Lezha, ka rënë pre e një mashtrimi, ku disa shtetas, të panjohur për mua, kanë përdorur emrin tim për t’i marrë para! Para ca ditësh ne e kapëm situatën, denoncuam dhe u bë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë.
Nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, ju lutem të denonconi në polici”, shkruan kryebashkiaku.
Shkëlqim Domi, Saimir Sallaku dhe Shefik Kurti përdorën emrin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash biznesmenit Ylli Ukja, që njëkohësisht është presidenti i klubit të basketbollit “Besëlidhja”.
Domi dhe Sallaku u vunë në pranga, ndërsa Kurti u shpall në kërkim.