Fredi Beleri, i dënuar në Shqipëri për blerje votash, u zgjodh në Greqi rreth një muaj më parë si eurodeputet. Por teksa ndodhet në burg në Shqipëri, Beleri ka kërkuar leje që të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian më datë 15 korrik.
Megjithëse mediat greke thonë se Beleri ka marrë leje për tu betuar, burime për Shqiptarja.com nga Drejtoria e Burgjeve konfirmuan se leja nuk i është miratuar akoma.
”Nuk është miratuar akoma, ka bërë kërkesë, por nuk është firmosur akoma”, – thanë burime nga drejtoria e Burgjeve për gazetaren Keti Banushi.
Mediat greke shkruajne se Beleri do të fluturojë të hënën në mëngjes për në Athinë dhe më pas do të shkojë në Strasburg, për të marrë detyrën si deputet i Parlamentit Evropian gjatë seancës hapëse plenare.
Më 10 qershor Fredi Beleri, u zgjodh si eurodeputet në Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.