Një atentat i rëndë ka ndodhur gjatë natës në Memaliaj. Dyshohet se tre persona kanë mbetur të vrarë, ndërkohë që rrethanat ende nuk dihen. Policia e Gjirokastrës ndodhet në vendin e ngjarjes, ku ka rrethuar zonën e krimit. Në detajet e para thuhet se viktimat janë Shyqyri Kalemi, Bledar Muka dhe Marsel Çela. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.
Viktima Shyqyri Kalemi është babai i Andrea (Tiku Kalemit). Dy viktimat e tjerë, Marsel Çela dhe Gledio Muka, janë kamarier dhe klientë në lokal. I plagosuri Artur Kalemi është xhaxhai i Andrea ( Tiku Kalemit). Ndërkohë raportohet se janë shoqëruar nga Policia e Gjirokastrës katër persona lidhur me ngjarjen. Gjithashtu bëhet me dihe se një automjet tip “BMW” është gjetur duke u djegur në fshatin Bejaj të Gjirokastrës dhe dyshohet se është përdorur nga autorët.
Sipas burimeve nga policia dyshohet se shënjester e këtij atentati kanë qenë anetarët e fisit Kalemi. Shyqyri Kalemi dhe Artur Kalemi janë të afërt të Adriatik Kalemit, të cilit i janë bërë së paku 3 atentate. Një në një ishull të Greqisë, një në burg dhe një në Shqipëri. Po ashtu në janar të këtij viti i bënë atentat në Unazën e Madhe edhe të vëllait Zamir Kalemit në Tiranë.
Grupi hetimor po heton si një nga pistat e atentatit të sotëm vazhdimin e sagës së vrasjeve të Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papës. Policia dyshon se Andrea Adriatik Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor të 2022, ndërsa Sadikaj i cili mbeti i vrarë më herët me tritol brenda makinës ishte i afërm i vëllezërve Kalemi.
Njoftimi i policisë:
Memaliaj/Informacion paraprak/ Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., 74 vjeç, M. C., 47 vjeç dhe G. M., 36 vjeç si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë. Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nderkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër. Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve.
Vrasja e Edmon Papës
Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit. Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.
Vrasja e Sadikajt
Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç është vrarë në një atentat me tritol me telekomandë në qershor të vitit 2022. I riu me precedentë penalë ka qenë duke udhëtuar me makinën që rezulton të jetë në pronësi të Petrit Osmanit në momentin që atentatorët kanë shpërthyer tritolin me telekomandë. Sadikaj u nxorr pa gjymtyrë nga mjeti dhe kalimtarë të rastit e dërguan në spital ku dhe ndërroi jetë. 27-vjeçari është skeduar për një sërë veprash penale si vjedhje, vrasje, plagosje dhe mosbindje e kundërshtim të forcave të policisë. Hetimet janë fokusuar në të shkuarën e të riut, por nuk përjashtohet mundësia që atentatorët të jenë ngatërruar e që shënjestra e tyre të ketë qenë Osmani.