Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli ka prezantuar paketën e investimeve për atë që ai e theksoi si Thethi i së nesërmes, destinacion cilësor elitar turistik.
Në takimin me banorë të kësaj zone, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, si dhe kreu i bashkisë Shkodër, Benet Beci, Agolli renditi disa nga projektet që do të zbatohen për zhvillimin e kësaj zone.
“Duke filluar që nga ndërhyrjet që prej disa vitesh janë bërë në këtë zonë për përmirësimin e aksesit, ku faza e parë përfshiu ndërtimin e aksit të Bogës nga Qafë Thorja në Theth dhe nga Thethi në Ndërhysaj. Jemi duke bërë hapjen e rrugës së Dukagjinit që do të krijojë një unazë që do të lidhë Shkodrën nga drejtimi i Koplikut dhe drejtimi tjetër”, tha ai.
Agolli theksoi se rruga e Dukagjinit nuk është vetëm një aks rrugor që i shërben shpejtësisë në lëvizje.
“Rruga e Dukagjinti nuk është vetëm akses, por potencial zhvillimi për të gjithë këto zona. Kjo rrugë nuk do të mbetet vetëm në Theth fshat, por do të vijojë në të gjithë zonën, duke e kthyer në një potencial turistik”, shtoi ai.
Kreu i FSHZH, u shpreh se ndërhyrjet janë për të përforcuar elementin natyror dhe atë urban.
“Jemi duke punuar me bashkinë për përgatitjen edhe të projektit të kanalizimeve dhe një impianti të përpunimit të ujërave të zeza. Ndërkohë që jemi duke mbyllur projektin dhe nisim procedurën për fazën e parë të furnizimit me energji elektrike nga Dedaj në Bogë e Razëm, duke shndërruar linjën në linjë 35 kilovolt. Në fazën e dytë është furnizimi me energji elektrike të qëndrueshme për banorët”, deklaroi Agolli.
Sipas tij, këto ndërhyrje së bashku me paketën e madhe të qeverisë për malet do të bëjë Thethin një destinacion cilësor elitar dhe turistik.
Strategjia gjithëpërfshirëse për Thethin
Thethi ka një histori 2800 vjeçare, muza e studiuesve të huaj që prej vitit 1905, në 1966 është shpallur Park Kombëtare dhe me qendër historike që prej vitit 2017.
Thethi që pret sot qindra e mijëra turistë, do të ketë një projekt të ri mbështetës nga qeveria dhe Bashkia Shkodër me iniciativë të Kryeministrit Edi Rama i cili do të diskutohet në një tryeze ndërdisiplinore për të garantuar arritjen e këtij ekuilibri mes natyrës dhe komuniteti.
Strategjia gjithëpërfshirëse për Thethin nga Bashkia Shkodër, përfshin trajtimin e hapësirave publike dhe objekteve publike si pikënisje.
Me kisha, kulla ngujimi, shkolla muze etnografik dhe qendër historike, Thethi ka një bosht kryesor që shtrihet paralel me shtratin e lumit dhe sipas arkitektëve, ky do të jetë fokusi i parë i ndërhyrjeve.Mes boshtit dhe shtatit të lumit do të ketë 5 pika kryesore ky fokusohen ndërhyrjet e para.
Puna do të nis që nga ura e parë e hyrjes për në fshat me sistemin e rrugës me gurë kalldrëmi dhe me çakëll të ngjeshur. Edhe qendra e vizitorëve do të marrë një pamje akoma më mikpritëse si pika kryesore për informimin e vizitorëve, por edhe pika për vendasit që do duan të riparojnë dhe ndërtojnë çatinë, muret apo edhe tabelat që Thethi të ruajë atë karakter që ka.
Projekti do të përfshijë edhe rehabilitimin e shtratit të lumit i cili do të pyllëzohet akoma më shumë.
Në rrugën që lidh kishën me urën e dytë, do të kthehet në një shesh të mirfilltë ku propozohet ngritja e një pavioni, “Oda e hapur” ku mund të organizohen panaire, tregu javor sezonal.
Ngritja e një muzeu për njohjen e trashëgimisë kulturore, natyra dhe historia e bjeshkëve është një tjetër pikë e këtij projekti zhvillimor për Thethin.