Pothuaj 400 mijë spektatorë përgjatë Senës, 22 milion në Francë dhe 2 miliardë në të gjithë botën para televizorit: ceremonia e hapjes së Lojërave të parisit ka qenë unike në histori, ashtu si ishte premtuar. Për shkak se ka qenë e para e organizuar jo në një stadium dhe sepse ka prekur dhe entuziasmuar shumë njerëz. Por edhe ka irrituar dhe skandalizuar shumë të tjerë. Kurrë më parë një ngjarje e tillë nuk e kishte ndarë kështu opinionin botëror.
Në Francë, atmosfera e përgjithshme ishte ajo e emocioneve dhe kënaqësisë, sepse pavarësisht vështirësive të ndryshme – nga sabotazhet e trenave e deri tek shiu – dhe profecitë e ndryshme, gjithçka shkoi mirë deri në fund dhe sipas planeve, pa atentate terroriste dhe pa incidente domethënëse. Finalja e madhe e Kullës Eiffel me rrathët olimpikë dhe Celine Dion, e cila pas vitesh të tëra heshtje për shkak të sëmundjes, këndoi pothuaj me zemërim Himnin për dashurinë të Edith Piaf, kanë qenë momente që e kanë bashkuar vendin, dëshira për madhështi sikur u plotësua.
Por në fillim ka patur skena më pak konsensuale për të thënë më të paktën. Këngëtarja franko-maliane Aya Nakamura, me përzierjen e sukseseve të saj të kënduara me një frëngjishte rruge tipike të lagjeve të varfëra banlieue, mu përpara Akademisë franceze të themeluar nga Risheljën për të mbrojtur korrektësinë e gjuhës; Mari Antuaneta me kokën e prerë që këndonte himnin e revolucionit, me kokën që e mbante në duar dhe e shoqëruar në sfond me muzikë heavy metal; dhe mbi të gjitha sfilata e drag queen dhe ajo që shumëkujt iu duk si një rikrijim i Darkës së Fundit të Leonardos, me Philippe Katerine gjysmë lakuriq dhe i lyer me bojë blu në versionin Dionis: të gjitha këto ekzaltuan shumëkënd, por nga ana tjetër, indinjuan shumë të tjerë, mbi të gjitha në të djathtë.
Drejtuesit e France Insoumise të Jean-Luc Melencon, të cilët deri disa ditë më parë protestonin kundër shpërdorimit të parave dhe energjive për “Olimpiadën e të pasurve”, kanë folur për “krenarinë e Francës kur ajo di t’i flasë botës”, ndërkohë që në të djathtën ekstreme eurodeputetja Marion Marechal u është drejtuar të krishterëve të të gjithë botës: “Dijeni se nuk është Franca ajo që flet, por një pakicë e majtë e gatshme për çdo lloj provokimi”.
Edhe konferenca e peshkopëve ka kritikuar “skenar e përqeshjes së kristianizmit”, ndonëse ka pranuar se ceremonia kishte ofruar edhe “momente të mrekullueshme”.
Edhe në botë pak a shumë e njëjta ndarje: nëse kryeministri laburist britanik Keir Starmer deklaroi se e adhuroi ceremoninë, si “një triumf, komplimente Francës”, kryeministri hungarez Viktor Orban ka folur për “dobësi dhe rënie të Perëndimit” dhe zëdhënësja e diplomacisë ruse, Maria Zakharova kritikoi parodinë Lgbt të Darkës së Fundit.
Corriere della Sera – Bota.al