Nga Mero Baze
Të gjithë ata që “besonin” se Berisha nuk do bënte kurrë pazar me Ramën, tani duhet të kuptojnë se ai është gati të bëjë pazar dhe me Damianin për hallin e vet.
I ndodhur në pozitë të vështirë brenda PD, pasi nuk disiplinon dot listën e kandidatëve për deputetë dhe nuk ka besim tek ata që mund të marrin vota me lista të hapura, Berisha është gjunjëzuar duke pranuar 70 për qind të listës të mbyllur, çka për PD e Berishës praktikisht është 100 për 100 e listës fituese e mbyllur në çdo qark.
Madje dhe në Tiranë. Arsyeja është e thjeshtë.
Të vetmen betejë që Berisha ka në politikë tani është të mbajë një copë të PD me besnikët e vet. Listat e hapura ja shpartallojnë besnikët dhe i humbasin kontrollin mbi partinë.
Në këto rrethana ai bëri sikur miratoi propozimin e PS për votimin e diasporës, duke ju lutur nën tavolinë PS të mbyllte listat deri në 70 për qind. Është njësoj si në pozitat e 2008, ku partia i ishte rebeluar dhe po krijohej një pol rreth Bamir Topit, dhe ai u tregoi vendin me lista.
Tani na i kurseni këto akuzat për pazaret e Lulzim Bashës me Ramën më 2017, që po ashtu i komandonte Berisha.
Berisha po hyn në zgjedhje me lista të mbyllura duke garantuar vetëm besnikët e vet, pa bërë asnjë betejë për koalicionet, siç u betua, dhe duke larë gojën me emigrantët. Halli i tij real ishin listat e mbyllura dhe i mori.
Tani festoni për hapjen e PD. Dhe poshtërimin në diversitet.