“Të gjithë ata që duan të bëhen deputetë të Partisë Socialiste, tashmë nuk duhet të bëjnë një jetë partiake apo të lobojnë brenda strukturave të partisë”.
Mjafton të jesh shtetas shqiptar dhe të plotësosh kriteret bazë që përcakton dhe kushdo mund të aplikojë online nga shtëpia.
Për këtë qëllim Partia Socialiste prezantoi të dielën në kongres këtë platformë inovative të quajtur “Deputeti që duam” dhe që u bë aktive këtë të hënë dhe përmes së cilës mund të aplikojë kushdo për të kthyer kështu idetë në vepra konkrete për vendin.
Për këtë mjaftojnë vetëm 4 hapa që duhet të ndiqen, ku përfshihen plotësimi i formularit me të dhënat personale, arritjet profesionale, jetëshkrimi, 2 letra mbështetëse dhe një video prej maksimumi 3 minutash ku shpjegohet motivimi, përvoja, idetë dhe vizioni për të ardhmen e vendit.
Në këtë platformë mund të aplikojnë edhe shqiptarët në diasporë.
Njoftimin për hapjen e aplikimeve e ka bërë vetë kryeministri Edi Rama përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas tij kjo është një derë e re e PS-së për këdo që do të angazhohet në vijën e parë për Shqipërinë 2030.
Sipas asaj që përcaktohet në këtë platformë aplikimet do të jenë të hapura për 62 ditë.