Një raportim nga një gazetë boshnjake me emrin “Slobodna Bosna” ka vërshuar profilet e deputetëve e zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes. Ata që më së shumti thirren në kujdesin që duhet ta kenë mediat kur raportojnë e citojnë nga mediat e Ballkanit, nuk hezituan që bazuar në këtë shkrim t’i turren dy portaleve në Kosovë: Nacionales dhe Periskopit.
Në shkrimin e gazetës boshnjake nuk ofrohet as edhe një fakt, as edhe një provë. Por, akuzat janë të rënda. Nacionale dhe Periskopi etiketohen si dy media të cilat financohen nga Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq. Kjo akuzë brutale arsyetohet me një rresht: “bashkëbiseduesit tanë në Kosovë thanë se….”.
Nuk ofrohet as edhe një dëshmi se ndonjëra prej këtyre mediave ka ndonjë lidhje me Serbinë. Megjithatë, qëllimi dukej i qartë. Artikulli u realizua me një politikan kontrovers serb, Boban Bogdanoviq, të cilit kohë më parë i kishte dalë një video duke konsumuar kokainë.
As kjo nuk i bëri përshtypje pushtetit. Deputetët Dimal Basha e Salih Zyba e shpërndanë artikullin në facebook, duke i quajtur “kriminelë” udhëheqësit e dy medieve. Kjo mobilizoi strukturat e VV-së të cilët nisën fushatë linçuese ndaj Nacionales dhe Periskopit.
Megjithatë, skandali nuk përfundon këtu. Ky artikull i kësaj gazete boshnjake u citua në lajmet qendrore të Radio Televizionit të Kosovës, dhe në portalin e mediumit publik. Pra, pa kërkuar asnjë përgjigje nga Nacionale, pa publikuar asnjë dokument, dy media të Kosovës paraqiten në edicionin e lajmeve se “paguhen nga Serbia”.
Ky raportim i RTK-së dhe krejt kjo situatë ka shkaktuar shumë reagime në Kosovë. Së pari reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të cilët e quajtën të papranueshme gjuhën e deputetëve të VV-së dhe raportimin e RTK-së, gjithashtu.
“Shkrimi i “Slobodna Bosna”, bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, me emrin Boban Bogdanoviq, që thotë se është disident politik serb. AGK-ja, dënon fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të partisë qeverisëse, Vetëvendosje, që i targeton këto dy mediume dhe gazetarët që punojnë aty. Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre. I bëjmë thirrje të përsëritur kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Reagim të ashpër pati edhe analisti Fitim Salihu i cili RTK-në e quajti “Radio Televizioni i Kurtit”.
“Vite me pare ka pas gazetere e analiste serbe dhe ish zyrtare te sherbimit sekret serb qe kane tregu se qysh e ka rekrutu UDB-a Albin Kurtin ne burg ose qysh Albini ka qene ne lidhje me vajzen e Sokolloviqit, ministrit te Brendshem te Milosheviqit. Por, asnjehere RTK-ja nuk eshte leshu ne aventura servilizmi me i plasu keto deklarata ne edicionet e lajmeve qendrore dhe asku tjeter. Bile edhe atehere kur Albin Kurti e ka kalle Kosoven per me ardhe ne pushtet, pushtetet e kaluara nuk e kane perdor RTK-ne per te tilla sulme te ulta. Ky lajmi i sotem i RTK-se tregon per nivelin me te ulet njerezor, moral, etik, profesional e kombetar te Bordit dhe menaxhmentit te sotem te RTK-se, a.k.a Radio-Televizioni i Kurtit. E gerditshme, e turpshme, e neveritshme. Sonte e keni kompleksu edhe RTS-in”, thuhet në postimin e Salihut.
Edhe Drejtori ekzekutiv i Instituti Demokratik i Kosovës, Ismet Kryeziu ka reaguar pas skandalit të RTK-së ku sulmohen Periskopi dhe Nacionale.
Ai ka thënë se RTK-ja prej sonte paraqet rrezik jo vetëm për gazetarinë e lirë, por edhe për shoqërinë.
“Kur shteti përdor mediat publike si RTK-ja, për të promovuar agjendat e tij dhe për të diskredituar mediat e pavarura, krijon një mjedis të mbushur me dezinformim dhe manipulim të opinionit publik”, ka shkruar ai.
Drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka kërkuar përgjegjësi dhe shkarkime pas këtij raportimi të RTK-së.
“Jo më larg se nesër, dikush nga RTK-ja duhet të japë dorëheqje, ose të shkarkohet. Nuk mund të përdoret mediumi publik që mbahet me taksat e qytetarëve për gjueti shtrigash me burime anonime. Nëse kjo që ka ndodhur sonte kalon pa llogaridhënie, ky do të jetë edhe fillimi i fundit të televizionit pubik, i cili, pavarësisht sfidave, deri tash ia ka dalë ta ruajë një optimum korrektësie dhe profesionalizmi”, ka shkruar Kelmendi.
Reagime ka pasur edhe nga gazetarët Ilir Mirena e Berat Buzhala, të cilët udhëheqin Periskopin, përkatësisht Nacionalen.
“Fatkeqesisht, nje shpifje te tij te radhes po e shperndajne deputet dhe aktiviste te VV’se. Shpifjen e tij e paska publikuar edhe televizioni publik, RTK, tashme i kapur nga pushteti i Kurtit… Publicitetin qe po ja jep pushteti i Kurtit deklaratave te nje njeriu si ky, tregon sa keq i ka punet ky pushtet. Dhe, per t’u dukur me kredibile fushata e tyre kunder mediave, perdorin e keqperdorin serb te cilet as komuniteti i vet nuk i do. Shpresa u ka mbetur te Bogdanoviqet, se shqiptare me dy fije mend me nuk u besojne shpifjeve te VV’se”, ka shkruar Mirena.
“Nuk e kam bo as Nacionalen vet. Bashke me shume te tjere e kam bo. Rrogat i japim ne banke, pagujme tatime cdo muaj, bile edhe tatim ne fitim. I kena nejt perballe edhe pushtetit te Thacit edhe te Haradinajt, qashtu qysh duhet mediat me i nejte perballe cdo pushteti. I rrime perballe edhe pushtetit te Kurtit. Merrni vesh: Bashkehisenik jemi ne kete shtet, ndaq me cka kena bo e cka kena hjeke para luftes, ndaq gjate luftes, e edhe tash pasluftës”, ka shkruar Buzhala./NACIONALE