Kreu i SPAK, Altin Dumani po prezanton raportin vjetor të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për vitin 2023, në Kuvend.
Lidhur me konstatimin nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, se Dumani ka marrë një mesazh nga kryeministri Edi Rama, ku i është kërkuar të pushojë çështjen “Xibraka”, kreu i SPAK tha se me kryeministrin dhe me çdo titullar tjetër ka vetëm institucionale dhe proceduriale.
Bardhi: Rezulton sipas informacioneve që ka Grupi Parlamentar i PD se kryeministri Edi Rama përmes një shtetasi emrin nuk po e përmend, por unë dhe ju e dini mjaft mirë për kë bëhet fjalë, një funksionar publik në një nga institucionet e pavarura i ka përcjellë drejtuesit të SPAK, juve zoti Dumani, një mesazh privat që çështja Xibraka e rihapur nga Prokuroria e Posaçme të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Unë dua të di, sigurisht që unë e di, por dua që ta dëgjoj nga juve përgjigjen që i keni përcjellë mbrapsht kryeministrit për këtë çështje, së dyti pas ndërhyrjes së kryeministrit përmes personit a jepni garanci që kjo çështje do të hetohet e pandikuar siç ligji e kërkon në mënyrë profesionale?
Dumani: Xibraka është në hetim, lidhur me kryeministrin apo çdo titullar marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale, institucionale kur institucionet ka nevojë të bashkëpunojnë dhe proceduriale kur ndonjëri prej tyre thirret në cilësinë e deklaruesit apo të pandehurit, nuk marr dhe përcjell asnjë lloj mesazhi, kjo është marrëdhënia ime që kam, pa përjashtim.