Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris, ku do të marrë pjesë në Samitin e Sportit për Zhvillim, që mbahet në prag të nisjes së Lojrave Olimpike “Paris 2024”.
Kreu i qeverisë ka ndarë në rrjetet sociale foto nga pritja që i është rezervuar në kryeqytetin e Francës. “Paris, Samiti i Sportit për Zhvillim, në vigjilje të Lojërave Olimpike”, shkruan Rama.
Edicioni i 33-të i Lojërave Olimpike do të nisë në 26 korrik. Në “Paris 2024” Shqipëria merr pjesë për herë të dhjetë në olimpiadë. Ekipi kuqezi do të formohet nga tetë sportistë, katër nga të cilët e kanë siguruar kualifikimin me normë në bazë të perfomancës sportive dhe katër të tjerë shkojnë me ftesë.
Atletja Luiza Gega si dhe tre mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev e Chermen Valiev janë sportistët e Shqipërisë që shkojnë “Paris 2024” si të kualifikuar me normë. Ekipi shqiptar ka përfituar edhe katër ftesa për “Paris 2024”. Kështu me ftesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të konkurrojë Franko Burraj në atletikë, Greisi Koxhaku dhe Kaltra Meça në not, si dhe Manjola Konini në qitje sportive.