Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri sqaroi draftin e Reformës Zgjedhore. Në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë, Damian Gjiknuri bëri një krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas tij, në zgjedhjet e 2021 vetëm 3 kandiatë nga 140 thyen herësin, por me formulën e propozuar janë 40 mandate në “lojë”.
Po ashtu, pati edhe një koment për akuzat që janë bërë nga Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, se e drafti është një “pazar” mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha. Për Gjiknurin, të gjitha akuzat janë të pabaza.
“Referuar rezultateve të vitit 2021, vetëm 34 mandate duke mosllogaritur garancitë ligjore. Po të mos zbatoheshin kuotat gjinore do të kishim lëvizje vetëm 34 mandate, nëse do të zbatoheshin 22 mandate. Vetëm 22 mandate ishin në lojë. Kurse formula e sotme mundëson mbi 40 mandate. Bëjeni vetë krahasimin. Miti i mbylljes së konkurencës rrëzohet nga shifrat. Pse nuk lejoni partitë politike të zgjedhin vetë masën e votimit parapëlqyes? Ka disa parime që duhet të ndiqen nga çdo vend. Bazuar në këto parime ODHIR rekomandoi që në zgjedhjet e vitit 2005 që kush merrte më shumë vota, merr mandatin, e konsideroi shkelje serioze sepse konfuzon zgjedhësit dhe shkakton probleme në garë. E njëjta gjë u konsiderua edhe nga Komisioni i Venecias. Pazar Rama-Berisha? Gaboheni rëndë, u munduam për një reformë gjithëpërfshirëse, por nuk sollët asgjë konkrete si të përmirësohej procesi, por vetëm propozime që forconin pozitën tuaj politikë, ose për mbijetesë, ose në kurriz të grupimeve që ishin në opozitë. Ajo që ofrojmë është gatishmëri për kompromis politik në të mirë të Shqipërisë dhe mbështetje në çdo mjet që zgjedhjet e radhës të jenë edhe më të mira. Asnjë nuk ankohet më për administrimin e zgjedhjeve pasi çdo votë hapet dhe filmohet. Ky është vullneti i maxhorancës,”-tha në fjalën e tij Gjiknuri.
Po ashtu, Gjiknuri shtoi se po rishikohet mundësia që në 5 qarqet më të mëdha në vend, të bëhet votim elektronik.
“Asnjë nuk ankohet më për administrim të zgjedhjeve në Shqipëri, pasi çdo votë numërohet pasi është hedhur, çdo kuti hapet sa herë kërkohet, çdo votë skanohet dhe ruhet, çdo qendër votimi filmohet, çdo zgjedhës identifikohet me teknologji. Dhe mundësia është që në 5 qarqet më të mëdha të vendit të realizohet që çdo votë të votohet dhe numërohet elektronikisht. Ky është vullneti i mazhorancës,”- ka thënë ai.