Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për bllokun e banimit që kufizohet nga rrugët “Teodor Keko”, “Tom Plezha”, “Mikel Maruli” dhe “Loni Ligori”. Veliaj komentoi edhe pamjet nga protesta e djeshme e opozitës, kur u dogj me molotovë flamuri kombëtar.

“E kuptoj kur ke ambicie për të kandiduar dhe shkon nga humbja në humbje me energji të jashtëzakonshme, siç ndodh me kundërshtarët tanë, por ta kthesh këtë ambicie në një produkt pune, ku digjet dhe përdhunohet simboli kombëtar, ku digjet flamuri kombëtar, ku digjen institucionet, që janë monument kulture, kjo s’ka kuptim. As kryeministria e as bashkia nuk janë godina personale, janë monumente kulture, që do i shërbejnë çdo qeverie dhe çdo bashkie që do të shërbejë aty. Kur shkon dhe djeg bashkinë, kryeministrinë, flamurin, tregon se je komplet jo dinjitoz për t’u konsideruar si një ofertë serioze”, tha ai.

Veliaj tha se punët bëhen për të gjithë njësoj, pa i ndarë njerëzit në të majtë apo të djathtë. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që, ata që djegin flamurin, ata që djegin goma, ata që e lanë zonën pa një gramë asfalt, pa një shkollë, pa një kopësht, pa një çerdhe, me ndërtime kaotike, me një komunë të dalë jashtë kontrolli, me hipoteka dhe legalizime të papërfunduara, me pallate që ishin disfunksionale, t’i dënojnë përsëri në zgjedhjet e ardhshme.

“Jam i bindur se forca e madhe qytetare, djegësve të gomave, të ndërtesave dhe të flamujve, do t’u japë një përgjigje spektakolare. Ne do të shkojmë të mobilizuar me pjesën e shëndoshë të shoqërisë, me pjesën që do të mësojë, që do të punojë, që do rend, që do ligj, që do pastërti, që do hijeshi, që do gjelbërim. Kjo është pjesa e shëndoshë. Kjo është shumica e heshtur e popullit që, edhe herën e fundit me 60 mijë vota, por edhe në çdo hapësirë tjetër, del në votime dhe thotë: ‘Unë dua që gjërat të ecin përpara, jo djegie flamujsh, jo djegie gomash, jo djegie institucionesh’. Për të gjithë ata njerëz që kanë besim na duhet që ta kalojmë verën në punë, që të bëjmë diferencën mes atyre që djegin, se duan të kapin shtëpitë e tyre në Lalëz dhe atyre që punojnë përditë, përditë, përditë. Se është verë, se është dimër, se është e shtunë, se është diel, duhet t’i çojmë gjërat përpara”, nënvizoi ai.