Liderët evropianë kanë lënë diskutimet për punë për një moment dhe janë filmuar teksa bënin shaka me njëri tjetrin në Samitin e Komunitetit Politik që po mbahet në Woodstock, Oxfordshire.
Siç shihet edhe nga pamjet, vëmendja e liderëve është e fokusuar te kryeministri Edi Rama homologia italiane Giorgia Meloni, dhe kryeministri hungarez Viktor Orban.
Meloni mund të dëgjohet teksa u thotë liderëve të tjerë në tryezë se kryeministri Rama, “merr vesh më shumë se ajo nga politikat italiane”.
“Ai i njeh politikat europiane më shumë se unë. Në disa raste është ai që mi shpjegon politikat italiane. Është thuajse italian”, tha Meloni.
“Kjo sepse më duhet t’i studioj të dyja palët. Kjo studion vetëm kundërshtarët”, përgjigjet kryeministri Rama teksa në sallë shpërthejnë të qeshurat.
Udhëheqësit e Bashkimit Europian nga Danimarka në Maltë u mblodhën për të diskutuar rreth emigracionit, në vazhdën e punimeve që po bëhen në Samitin e Komunitetit Politik Europian.
Në Pallatin Blenheim, liderët pritet gjithashtu që të diskutojnë sigurinë energjetike dhe ruajtjen e demokracisë.
Komuniteti Politik Evropian është një iniciativë e presidentit francez Emmanuel Macron dhe u krijua pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.