Nga Fatos Çoçoli/

Kaq përfitim parashikon për Shqipërinë dhe ekonomine tonë një studim i Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit. Shumë prej nesh janë të shqetësuar për praninë më të paktë të turistëve në brigjet tona në dy muajt e fundit. Sidomos pronarët e pikave të pritjes së turistëve në brigjet e Jugut të vendit. Që kanë investuar dhe prisnin më shumë se viti 2023.

Kjo, si situatë nuk po na ndodh vetëm ne në vitin e dytë të mësymjes së madhe të vizitorëve të huaj. I ka ndodhur Kroacisë në vitin 2009, si dhe disa dekada më parë i ndodhi edhe Greqisë dhe Spanjës. Është ajo që në gjuhën e specialistëve të turizmit quhet “efekti i shuarjes së kuriozitetit”. Vizitoret e huaj erdhën në masë vitin e kaluar. E shuan kureshtjen, pasi jemi vend i vogël dhe mund të vizitohemi jo pak brenda tre-katër ditësh.

Vala e re e kureshtarëvë të këtij viti ishin më pak kureshtarë për brigjet tona dhe më shumë për qytetet dhe fshatrat në brendësi të vendit. Në tërësi, shifrat e turistëve të huaj nga Gjermania, Franca dhe Vendet Nordike janë në rritje në muajt janar-qershor 2024, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Pra, më pak turistë në brigje, më shumë në qytete dhe fshatra në brendësi. Kjo na ndodhi. Nuk kemi pse ta bëjmë tragjike.

Pse qëndrojmë fort në hartën botërore të destinacioneve turistike?

Shqipëria po rekomandohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik nga operatorë turistikë të huaj, nga udhëzuesit ndërkombëtarë të udhëtimit dhe nga mediat ndërkombëtare. Arësyet pse qëndrojmë të pozicionuar mirë në hartën botërore të destinacioneve turistike(hymë përfundimisht në vitet 2022-2023), është se përherë e më shumë turistë kureshtarë po vizitojnë qytetet tona dhe fshatrat në brendësi të vendi.

Shifrat e parashikimeve për të ardhura më shumë nga turizmi këtë vit janë kokëforta dhe jepen në nivel ndërkombëtar..

Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC) (https://wttc.org/) është autoriteti global për kontributin ekonomik dhe social të Udhëtimit dhe Turizmit. Ai promovon rritje të qëndrueshme për sektorin e Udhëtimit dhe Turizmit, duke punuar me qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare, për të krijuar vende pune, për të nxitur eksportet dhe për të sjellë mirëqënie. Anëtarët e Këshillit janë mbi 200 kryetarë, presidentë dhe CEO të bizneseve kryesore private të udhëtimit dhe turizmit në botë.

Çdo vit Këshilli përgatit dhe publikon një studim të thelluar me titull “Ndikimi Ekonomik i Udhëtimit dhe Turizmit”.

Sipas të dhënave të studimit “Ndikimit Ekonomik i Udhëtimit dhe Turizmit 2024”, turizmi në vitin 2023 kontribuoi më shumë në Shqipëri dhe mbështeti më tepër vende pune se çdo vit më parë në historinë tonë.

WTTC parashikon 6 miliardë euro kontribut të turizmit për këtë vit në Shqipëri

Studimi jep në detaje kontributet absolute dhe relative të udhëtimit dhe turizmit në prodhimin tonë kombëtar dhe në punësim.

Sipas studimit të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit “Ndikimi Ekonomik i Udhëtimit dhe Turizmit 2024”, kontributi i turizmit në ekonominë tonë ishte 5.6 miliardë euro për vitin 2023, ose 37 përqind para më shumë se viti ynë më i mirë turistik i mëparshëm, viti 2019.

Një në çdo katër lek që vendi prodhoi më shumë vjet, vinin nga turizmi. Me turizëm vjet tek ne u morën 269 mijë vetë. Ky sektor “polli” 10 mijë vende të reja pune, më shumë se ndërtimi dhe bujqësia të marra së bashku.

Hajdeni në Porto Palermo këtë gusht!

Gjiri i Porto Palermos është një gji i vogël, i mbyllur dhe i mbrojtur, pak kilometra në jug të Himarës. Kështjella historike e Porto Palermos, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitet e para të shekullit të 19-të, ndodhet mbi një ishull të vogël në gji, që lidhet me kontinentin me një rrip të ngushtë toke.

Gjatë këtij muaji gusht 2024, Olen Çezari, këngëtari ynë me famë botërore, do të organizojë 12 koncerte të muzikës klasike dhe jo vetëm, në këtë ishull dhe kala magjepëse. Më 30 korrik ishin në gji 100 vullnetarë, që pastronin ishullin nga papastërtitë.

Kemi shumë për të ofruar në këtë vit turistik me rëndësi të jashtëzakonshme për ne. Dhe ndër gjërat më të çmuara për të ofruar, kemi pasuritë tona kulturore dhe historike, me të cilat është mbushur plot çdo por i tokës sonë. Me këto pasuri, ne e ngremë lart dhe e vlerësojmë më shumë turizmin tonë.

Ishte gjë e mirë që në pastrimin e Porto Palermos kishim bashkë me Olen Çezarin dhe 100 vajzat e djemtë vullnetarë, edhe ZvKryeministren e vendit. Këtyre aktiviteteve, në rradhë të parë Ministria e Turizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, por edhe Ministria e Ekonomisë dhe Kulturës, duhet t’i vënë shpatullat e tyre. Po ashtu edhe bashkitë ku aktivitetet zhvillohen.