Nga Zefina Hasani
Ku ishe për pushime?
Isha (si) jashtë shtetit… nëpër Shqipëri.
– A u kënaqe?
Për t’u kënaqur shkova. Vetë i zgjodha destinacionet, s’më çoi askush me zor.
-A shpenzove shumë? A t’u duk shtrenjtë?
Shpenzova aq sa desha. Aq sa mundesha. S’më detyroi njeri që të shpenzoja përtej mundësive të mia.
– A gjete qetësi? A s’të bezdisën zhurma, muzika në kupë të qiellit, orë e pa orë… në rryma të përziera nga njëri- lokal tek tjetri?
Po pati disa momente të tilla, se mohoj dot, ama nuk i lejova të m’i prishnin pushimet. U bëra pjesë e rrëmujës, me pak ushqim të mirë, një (ose 2/3) gota aperol… e zhytje në detin gjithmonë kristal.
E ç’më gjeti në fund të fundit!? Erdha e kënaqur nga udhëtimi im nëpër bregdetin tonë.
– A do të shkoj prapë?
Si mund të bëhet një pyetje si kjo!? Patjetër që po. Ndoshta që fundjavën tjetër. Të tjerët po vijnë nga ana e anës ne mos të shkojmë nga Tirana!? E pse jo?
Ashtu siç mund të shkoj prap edhe në Greqi, edhe në Turqi… Pse ta heq vendin tim nga lista e përzgjedhjes, kur vërtet më pëlqen shumë!