Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Pogradecit, ku 42-vjeçari Egli Proga, u dhunua për vdekje nga 29-vjeçari Denis Meçe ka “ngritur në këmbë”, Policinë e Shtetit.
Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale pasi Meçe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por pas hetimeve të thelluara të bluve rezultoi se nuk ishte e tillë, por kishim të bënim me një vrasje.
Në media u aludua se kjo ngjarje fillimisht është mbajtur e fshehtë nga organet e Policisë dhe nuk është bërë me dije që në momentet e para se 42-vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga dhuna dhe jo sepse u rrëzua aksidentalisht, ashtu si dhe u raportua në fillim.
Lidhur me këtë ngjarje së fundmi ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtuesi Madhor, Muhamet Rrumbullaku, i ciki ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit.
Rrumbullaku ka dhënë urdhër të prerë që të vlerësohen të gjitha reagimet e punonjësve të Policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.
Ndërkohë, më herët erdhi një reagim dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë tha se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të manipulohet apo fshihet ngjarja.
“Nisur nga disa lajme të publikuara në rrjete sociale në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në Pogradec, ku si pasojë e një konflikti humbi jetën një 42-vjeçar, dhe për këtë aludohet se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec, sqarojmë opinionin publik se:
Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të manipulohet apo fshihet ngjarja.
Ngjarja është vlerësuar maksimalisht nga Strukturat e DVP Korçë dhe ato të Komisariatit Policisë Pogradec është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është ngritur Grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat e lokalit, janë shoqëruar disa persona, që kanë qenë prezent në momentin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet e para në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj.
Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit dhe tre shtetasve të tjerë për moskallëzim krimi, dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore që rezultuan me zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka dhënë njoftim zyrtar me versionin zyrtar.
Ftojmë mediat dhe këdo që është i interesuar për informacion mbi veprimtarinë e strukturave policore apo për ngjarjet e ndodhura në territorin e Qarkut Korçë, që t’i drejtohet zyrës së Komunikimit me Median e Publikun në DVP, dhe jo t’i referohen burimeve jo zyrtare.
Garantojmë qytetarët dhe median se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe strukturat në varësi të saj janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët, pushuesit, vizitorët dhe turistët”, thuhej në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës.