Aktorja e njohur Angelina Jolie, e cila luan rolin e këngëtares ikonë të operas Maria Kallas në filmin e regjisorit Pablo Larrain, të titulluar “Maria”, ka marrë një duartrokitje tetë minutëshë në fund të premierës në Festivalin e Filmit në Venecia.
Aktorja 49-vjeçare u pa të përlotej teksa audienca duartrokiti performancën e saj në film. Jolie iu desh të mësonte teknikat e këndimit operistik për t’iu afruar në mënyrë sa më të vërtetë figurës së Kallas, e cila njihet si një nga sopranot më të mira të të gjitha kohëve.
Filmi “Maria” tregon ditët e fundit të sopranos në Paris, kur ajo kishte krijuar varësi nga barnat kundër ankthit.
Ky është roli më i vështirë, më sfiduesi,” tha Jolie për Reuters përpara premierës së filmit në Festivalin e Venecias. “Më dukej sikur isha në një tjetër planet sepse roli tejkalonte çdo gjë me të cilën isha mësuar si artiste dhe si njeri.”
Angelina Jolie ka luajtur në mëse 60 filma të zhanreve aksion dhe dramë, duke fituar një çmim Oskar si Aktorja më e Mirë në Rol Mbështetës për performancën e saj në filmin “Girl Interrupted.”
Regjisori Larrain tha se 95% e pjesëve të kënduara nga Kallas në film janë marrë nga regjistrimet origjinale të sopranos, por këngët që dëgjohen në skenat të cilat shfaqin ditët e fundit të saj janë kënduar nga Jolie.