Pas shpalljes së tenderit për të siguruar 21 mijë ton naftë për të vënë në punë dy anijet TEC në Vlorë për prodhimin e energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur një procedurë prokurimi edhe për largimin e mbetjeve hidrokarbure që do të gjenerohen nga ky proces. Në Agjencinë e Prokurimit Publik u njoftua procedura me objekt kontrate “Përfitimi i shërbimit të evadimit të mbetjeve hidrokarbure TEC Lundrues Vlorë dhe trajtimi i tyre përfundimtar” me fond limit 32 milionë lekë.
Sipas dokumenteve të tenderit, sqarohet se largimi i mbetjeve do të jetë për një periudhë 2 vjeçare deri në konsumimin e 25 mijë tonëve naftë.
“Për të llogaritur nevojën për përcaktimin e sasisë së evadimit të mbetjeve hidrokarbure, bazuar në karakteristikat teknike të aseteve generuese dhe karakteristikave të lëndës djegëse. Grupi i punës ka marrë në konsideratë të dhënat teknike të shfrytëzimit të kryera nga kompania Renco s.p.a dhe nga analiza e mësipërme rezulton që sasia e mbetjeve hidrokarbure që do të prodhohet në funksion të konsumit të lëndës djegëse do të jetë: 0.0226297074 mton. Shoqëria KESH sh.a do të furnizoj sasinë e lëndës djegëse prej 25,000 ton për funksionimin e aseteve generuese,”- thuhet në dokument.
Konkretisht KESh kërkon që nëpërmjet palëve të treta të arrijë të marrë shërbimin e evadimit të mbetjeve hidrokarbure në “Impiantin termik lundrues te përkohshëm dhe infrastrukturës ndihmëse”.Sipas dokumenteve shërbimi i kërkuar mund të jepet vetëm nga operator të cilët disponojnë kapacitetet e nevojshme për evadimin e mbetjeve që rrjedhin nga aktiviteti i operimit të TEC Lundrues.
“Ofertuesit duhet të sigurojnë dhënien e shërbimit gjatë gjithë periudhës që do të konsumohet sasia e lëndës djegëse prej 25,000 ton. Në mënyrë përmbledhëse shërbimi i kërkuar do të përbëhet nga tërësia e elementeve të përcaktuara si më poshtë, të cilat të kryhen nga ofertuesi me qëllim evadimin e mbetjeve hidrokarbure që do të prodhohen nga konsumi i 25,000 ton lëndë djegëse. Periudha e ofrimit të shërbimit do të jetë për një periudhe 2-vjecare ose deri në përfundimin e konsumit të sasisë së lëndës djegëse prej 25,000 ton,”- nënvizon KESH.
Palët mes tyre do të organizojnë një sistem të njoftimit të kërkesës (rrjedhës së kërkesave për shërbim), i cili do te jete pjesë e kontratës që do të lidhet mes palëve. Nga ana e shoqërisë Renco s.p.a, janë llogaritur sasitë e nevojshme për evadim në bazë ditore dhe javore në përputhje me kapacitetet depozituese të tankerave të pozicionuara në asetet lundruese. Sistemi i magazinimit, depozitimit dhe ruajtjes së këtyre mbetje hidrokarbure të lëndës djegëse është i pajisur me infrastrukturën e nevojshme për tërheqjen normale të tyre sipas periodicitetit dhe sasisë si me poshtë: Secila anije ka një kapacitet maksimal prej 50 m3. Për prodhim me kapacitet të plotë të energjisë, secila anije depoziton 6 m3/ditë mbetje hidrokarbure. Rrjedhimisht, ishte e nevojshme të tërhiqet sasia maksimale e depozituar (rreth 96 m3 mbetje hidrokarbure) çdo 8 (tetë) ditë pune kur impianti do të punojë me kapacitet maksimal.Ndërsa depozita e mbetjeve të vajrave lubrifikante është 30 m3 për secilën anije, 60 m3 në total për të dy anijet. Mbetje mujore të vajrave lubrifikante do të jete 6.9 m3 muaj. Nga sa më sipër, nevojitet te boshatiset secila depozitë çdo 4 muaj.
Kriza e energjisë që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të çmendura në importe.
KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues. Anijet janë të vendosura në Triport të Vlorës. Këto të fundit do të prodhonin energji përmes naftës sipas nevojës. Kapaciteti i dy njësive është 110 MW.
Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro. Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 GWh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh diçka që nuk u materializua asnjëherë.Vlera e gjeneruesve termikë vlerësohet 15 milionë euro teksa qiraja për një periudhë 2 vjeçare llogaritej në 46 milionë dollarë./Monitor