Spiromilot kanë djegur tërësisht tre fshatra të Himarës (15% të fshatrave të zonës) dhe dhjetra shtëpi në fshatra të tjera, përveçse kanë vrarë dhejtra dhe dëbuar mijra bregas. Fotografia e tyre qëndron “stoike” në një zyrë në Himarë, ku këto kohë kanë bërë paradë politikanë nga Tirana, të cilët, ose nuk e dinë se ç’kanë bërë spiromilot, ose nuk i njohin për fytyrë, ose nuk u intereson.
Ndaj, meqë këtë fundjavë jani të zënë, po ju bëj një ftesë publike Flamur Noka, Tedi Blushi, Luçiano Boçi, Agron Gjekmarkaj, t’ju çoj në Hundëçovë, Kallaratin e vjetër, Borshin e vjetër e të flasim me pasardhësit e të vrarëve prej spiromilove në Shën Vasil, Lukovë, Borsh e Kallarat.
E drejta juaj të vijoni të jeni me vrasës shqiptarësh; kjo ftesë nuk është t’ju ndryshoj gjë në bindje, por thjesht të shihni dhe anën tjetër të historisë. Merrni dhe Ivi Kason me vete, bashkë me lidhjet e tij familjare në Himarë, që t’jua tregojë historinë me sy vorioepirotizmi, se prapëseprapë do e kuptoni me sy e dëgjoni me vesh, se shqiptarët nuk duhen vrarë vetëm pse janë shqiptarë. Shpenzimet janë të miat, mos u merakosni.
Madje, meqë qëndruat stoikë poshtë banerit vetëm në greqisht në mes të Himarës brenda territorit të asaj republike ku shqipja është gjuhë zyrtare; në atë qytet ku jetojnë së paku 30% shqipfolës që një pjesë s’di një fjalë greqisht; në qendrën e asaj bashkie ku mbi 85% janë shqiptarë, po marr përsipër ose unë, ose nëse doni e merr përsipër Afrovita Dhimojani, që vjen nga një familje patriotike shqiptare e Himarës ku ju qëndruat nën hijen vetëm të greqishtes, që t’ju përkthejmë nga greqishtja juaj në shqipen që kanë gjuhë nëne shevasojët, lukovarët, hundëçovasit, borshjotët, kallaraqotët dhe çdo fshat tjetër hiq Himarën fshat, Dhërmiun e Palasën. Thjesht vetëofrohemi që të kuptoheni, se mos pandehni se të gjithë dinë greqisht si ju.
A shihemi fundjavën tjetër djema?