Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar në lidhje me arrestimin në Durrës të shefit të Antidrogës, Gazmir Preçi, që ra në pranga, pasi ka shantazhuar pronarin e një lokali se do ia mbyllte lokalin, nëse nuk i jepte 20 mijë euro.

Hoxha shprehet se kushdo polic, në çfarë do lloj niveli qoftë, që do të tentojnë të cenojë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, do të marrë ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Reagim i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në fb:

Operacioni i AMP-së, në bashkëpunim me SPAK, është mesazh i qartë për ata punonjës policie të cilitdo niveli qofshin, që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, do të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Mbështes dhe inkurajoj AMP-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe nxis dhe garantoj qytetarët dhe bizneset të denoncojnë raste të tilla, sepse vetëm bashkërisht arrijmë të realizojmë objektivin madhor, për të pasur një Polici sa më profesionale dhe me integritet të lartë moral e ligjor!