Mediat dhe politikanët opozitarë kanë nisur prej mëngjesit të sotëm të pretendojnë se qeveria socialiste ka pajisur me karta identiteti qindra banorë të Himarës, vetëm që ata të votojnë për Vangjel Tavon. Kurse ata qytetarë që janë identifikuar si votues të opozitës, nuk u rinovohen kartat.
Madje, politikani Luçiano Boçi ka publikuar dy karta identiteti të dy zonjave që sipas tij votojnë në Himarë, dhe thotë se Edi Rama i ka bërë ato me karta identiteti deri në 2074 për t’i pasur votuese të Partisë Socialiste.
“Zonja nga KAKAVIA që është bërë votuese e HIMARËS, megjithëse është e datëlindjes 1949 dhe kartën ia kanë dhënë në 21.3.2024, skadencën e ka në vitin 2074.
Zonja tjetër nga FTERRA është e datëlindjes 1940. Kartën e identitetit e ka marrë nê 23.10.2023 dhe jo çuditërisht i skadon në 2073″, shkruan politikani dhe ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi.
Newsbomb.al raporton se bëhet fjalë për një gafë të rëndë nga ana e politikanëve dhe mediave opozitare, duke spekuluar pastër për procesin zgjedhor në Himarë. Ndryshe nga çfarë raporton konkretisht Luçiano Boçi, këto karta identiteti janë plotësisht të sakta.
Si ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë kohës që ndryshimet ligjore kanë kaluar në parlament, Luçiano Boçi duhet ta dinte që të gjithë ata shtetas në Republikën e Shqipërisë të cilët mbushin 75 vjeç, kur të aplikojnë për kartë identiteti, do të kenë kartën e re me afat vlefshmërie 50 vjet.
Specifikimet e ndryshimeve ligjore te vitit 2021, per kartat e identitetit
Newsbomb.al sjell dhe ndryshimet ligjore të dakordësuara në vitin 2021, sipas të cilave shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç dhe që do të rinovojnë kartën e tyre të identitetit apo që do të aplikojnë për një kartë të re identiteti do të pajisen me një kartë identiteti që do të ketë një afat vlefshmërie prej 50 vjetësh.
Po ashtu, Ministria e Brendshme, Shoqëria Koncesionare e cila ka pasur koncesionin e kartave ID në periudhën e ndryshimeve ligjore, kanë rënë dakord edhe që E-Certifikatat e vendosura në çipin e kartës së identitetit do të kenë një afat vlefshmërie prej 10 vjetësh, në përputhje me kërkesat e e-IDAS, pavarësisht se vlefshmëria e kartës së identitetit do të jetë për 50 vjet.
Rasti i bërë publik nga zoti Luçiano Boçi dhe i shpërndarë me shpejtësi nga politikanë të tjerë e media opozitare, është i pavërtetë dhe kartat e identitetit për dy zonjat e cituara janë plotësisht të rregullta e në zbatim të ligjeve të Republikës së Shqipërisë.
Por le ti marrim konkretisht të dyja kartat e identitetit, për ta qartësuar më tepër rastin.
1- Zonja e parë e cila ka lindur në Kakavie, është e ditëlindjes 26.02.1949 dhe në datë 21.03.2024 është pajisur me kartë të re identiteti.
Më datë 26 Shkurt 2024, kjo zonjë ka mbushur 75 vjeçe dhe ka aplikuar për kartë të re identiteti. Sipas ligjit, një muaj më pas në Mars 2024, ajo ka marrë kartën ID me afat vlefshmërie 50 vjeçar, siç shihet në fotot deri në 2074.
Karta ID e zonjes nga Kakavia, publikuar nga Luçiano Boçi
2- Edhe zonja e dytë që ka lindur në fshatin Fterrë, është e ditëlindjes 02.03.1940 dhe në datë 23.10.2023 është pajisur me kartë të re identiteti.
Më datë 2 Mars 2023, kjo zonjë ka mbushur 83 vjeçe dhe ka qenë plotësisht brenda ligjit për t’u pajisur me kartë të re identiteti, sipas ligjit, me afat vlefshmërie 50 vjeçar. Shtatë muaj pas ditëlindjes, më datë 23 Tetor 2023, kjo zonjë ka marrë kartën e re dhe afati i skadencës së saj është deir në vitin 2073.
Karta ID e zonjes nga Fterra, publikuar nga Luçiano Boçi
Pra, të dyja pretendimet e politikanit Luçiano Boçi janë të pavërteta dhe zonjat janë pajisur me karta të reja identiteti në bazë të specifikimeve të ligjit shqiptar, që është miratuar në vitin 2021 nga vetë Boçi dhe kolegët e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, zonja e dytë nga fshati Fterrë ëhstë pajisur me kartë të re identiteti në Tetor 2023, pra pesë muaj pasi kishin kaluar zgjedhjet e 14 Majit dhe dhjetë muaj para zgjedhjeve të sotme, 4 Gusht 2024, kur nuk dihej fare nëse do të kishte zgjedhje të parakohshme.